

Zvicër, 23 janar 2026
Java e shtatë e fazës së ligës në Europa League ka sjellë verdikte të rëndësishme dhe ka ndezur edhe më shumë garën për vendet elitare. Aston Villa, Lyoni dhe Freiburgu janë ekipet e para që sigurojnë matematikisht kualifikimin direkt për në 1/8 e finaleve, ndërsa pas tyre renditja mbetet e hapur dhe tejet konkurruese.
Skuadra angleze e Aston Villa konfirmoi formën e shkëlqyer me një fitore të madhe në transfertë ndaj Fenerbahçes, duke triumfuar 1-0 në Stamboll. Ky sukses e çon ekipin britanik në kuotën e 18 pikëve, duke e bërë të pakapshëm në krye të tabelës dhe një nga favoritët kryesorë të këtij edicioni.
Me të njëjtin rezultat minimal fitoi edhe Lyoni, që mposhti Young Boys dhe siguroi gjithashtu kalimin direkt në fazën e 1/8 të finaleve. Francezët vijojnë të tregojnë ekuilibër dhe eficiencë, duke u konfirmuar si një forcë serioze në kompeticion.
Befasia e kësaj jave vjen nga Freiburgu, i cili falë fitores 1-0 ndaj Maccabi Tel Aviv, me golin vendimtar të Matanovic, plotësoi podiumin dhe vulosi kualifikimin pa pasur nevojë për play-off.
Në sfidat e mbrëmjes, Roma shfrytëzoi maksimalisht avantazhin e fushës, duke mposhtur Stuttgartin 2-0 në “Olimpico”. Verdhekuqtë zhbllokuan rezultatin në minutën e 40-të me Nicolo Pisilli, i cili realizoi edhe golin e sigurisë në minutat shtesë. Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini ngjitet në 15 pikë, duke siguruar praktikisht play-off-in dhe duke mbetur në garë për një vend direkt në 1/8 e finaleve.
Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Dinamo Zagreb, që mposhti bindshëm FCSB 4-1. Në këtë ndeshje u dallua edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare Arbër Hoxha, i cili kontribuoi me një asist, duke ndikuar drejtpërdrejt në suksesin e skuadrës kroate.
Me një javë të mbetur deri në fund të fazës së ligës, beteja për t’u futur në “Top 8” mbetet e hapur, me disa ekipe që do të vendosin fatin e tyre vetëm në ndeshjet e fundit, në një nga edicionet më konkurruese të Europa League.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






