

Tiranë, 22 janar 2026
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një protestë masive më 24 janar, duke deklaruar se opozita do të tregojë fuqinë dhe vendosmërinë e saj kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “njeriun e urrejtjeve personale”.
Në deklaratat e tij, Berisha tha se protesta e paralajmëruar ka, sipas tij, kauzën më të ligjshme të mundshme, duke argumentuar se qeveria aktuale nuk gëzon legjitimitet. “Qeveria nuk ka legjitimitet për shkak të farsës elektorale, gjë që është faktuar nga raportet ndërkombëtare dhe nga Departamenti i Shtetit. Së dyti, edhe një qeveri që del nga zgjedhje të ndershme, por vjedh qytetarët, e humbet legjitimitetin”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi qeverinë për krijimin e një sistemi autoritar, të mbështetur, sipas tij, në frikë dhe censurë. Ai tha se kontrolli mbi mediat është një nga elementët më të rrezikshëm të kësaj situate, duke theksuar se “efekti më i tmerrshëm i censurës është se i bën njerëzit të mos dinë më se çfarë të besojnë”.
Kreu i PD-së foli edhe për atë që e cilësoi si kapje të mediave përmes favoreve financiare dhe pronësore, duke pretenduar se rreth 90% e tyre janë të kontrolluara nga qeveria. Ai akuzoi kryeministrin se përdor drejtësinë për të mbrojtur ministrat dhe veten, duke shtuar se këto nuk janë thjesht akuza politike, por “dëshmi tronditëse brenda dhe jashtë vendit”.
Në fjalën e tij, Berisha iu drejtua edhe të rinjve, duke deklaruar se Shqipëria ka potencial për t’u ofruar atyre mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre dhe jo në emigracion. Ai solli si shembull periudhat kur, sipas tij, numri i qytetarëve në Shqipëri ka shënuar rritje.
Duke folur për protestën e 24 janarit, Berisha tha se ajo do të jetë një moment vendimtar për opozitën. “Në datën 24 do të tregojmë fuqinë e opozitës, kreativitetin e saj. Do t’i tregojmë botës se ky kryeministër përdor drejtësinë për të mbrojtur ministrat, sepse është vetë i përfshirë”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha theksoi se opozita do të qëndrojë, sipas tij, “deri në pikën e fundit”, duke insistuar se qeveria aktuale ka “zero legjitimitet” dhe se protesta do të jetë një provë vendimtare për të ardhmen politike të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






