Transmetuar më 22-01-2026, 22:29

Tiranë, 22 janar 2026

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar projektin turistik të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për zhvillimin e ishullit të Sazanit, duke deklaruar se nuk është kundër dhënies së ishullit për investime dhe projekte madhore.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha theksoi se edhe vetë, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka tentuar ta japë Sazanin për zhvillim, por projekti nuk u realizua për shkak të rrethanave ekonomike të kohës. Ai sqaroi gjithashtu se rasti i Zvërnecit është një investim tërësisht privat dhe, sipas tij, nuk përfshin dhënie të tokës publike.

“Zvërneci është investim kryekëput privat. Nuk kam parë që të jetë dhënë tokë publike. Si mund të jem kundër kur ka një ujdi mes privatësh? Janë të mirëpritur”, u shpreh Berisha.

Duke u ndalur te ishulli i Sazanit, kreu i PD-së theksoi se bëhet fjalë për tokë publike me një histori të veçantë. “Sazani ka një histori. Fatos Nano e kishte ofruar në treg dhe unë e gjeta një situatë të tillë. Unë bisedova me Silvio Berlusconin. Në atë kohë zhvillimi i Sazanit ishte i komplikuar dhe edhe sot nuk është i thjeshtë”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, ish-kryeministri italian Berlusconi e kishte pëlqyer projektin dhe ishte përgatitur një plan zhvillimi, por kriza financiare e vitit 2008 bëri që iniciativa të mbetej pezull. “Berlusconi e pëlqeu dhe e bëri projektin, por erdhi kriza financiare e 2008-ës dhe projekti mbeti”, shtoi ai.

Berisha nënvizoi se nuk mund të jetë kundër një procesi që edhe vetë e kishte mbështetur më herët, duke shtuar se qeveria aktuale u ka dhënë biznesmenëve shqiptarë toka, sipas tij, edhe më të vlefshme se Sazani. “Si ta kundërshtoja unë, kur unë vetë kam qenë përpjekur që të jepej për zhvillim. Rama biznesmenëve shqiptarë u ka dhënë toka shumë herë më të çmuara se Sazani”, përfundoi Berisha.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit