

Tiranë, 22 janar 2026
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes në Davos, ku ajo firmosi marrëveshjen krah presidentit amerikan Donald Trump dhe përfaqësuesve të vendeve të tjera nënshkruese. Në një lidhje live për emisionin “Top Story”, Osmani theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë kërkuar Kosovës asnjë kontribut financiar për anëtarësimin në këtë organizatë.
Sipas saj, anëtarësimi në Bordin e Paqes përbën një moment me rëndësi të veçantë historike për Kosovën, duke forcuar më tej pozicionin dhe peshën e saj në arenën ndërkombëtare. Presidentja nënvizoi se Kosova është ftuar si anëtare themeluese dhe se ftesa për nënshkrim është marrë më 20 janar.
“Ne kemi marrë ftesën më 20 janar dhe në momentin që u ftuam për anëtarësim si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, morëm edhe ftesën për të qenë në Davos për nënshkrim. Është një ditë me peshë historike për ne si shtet, sepse çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare e rrit dhe e forcon pozitën e Kosovës si shtet i barabartë mes kombeve të lira”, u shpreh Osmani.
Ajo sqaroi se, si në Kartën e Bordit të Paqes, ashtu edhe në komunikimet zyrtare me Shtëpinë e Bardhë, nuk është parashikuar asnjë detyrim financiar për vendet anëtare. “Karta e Bordit është shumë e qartë. Funksionimi i organizatës do të varet nga kontributet vullnetare. Ne kemi diskutuar më shumë për kontributin që Kosova mund të japë, jo për kontribute financiare”, tha presidentja.
Osmani theksoi se Kosova mund të ofrojë një kontribut të rëndësishëm në këtë organizatë, duke u bazuar në përvojën e saj si shtet i dalë nga lufta dhe në procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike. “Kosova është shembull i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë. Ne kemi ndërtuar institucionet nga zero dhe kjo përvojë mund të shërbejë si model për të tjerët”, shtoi ajo.
Në deklaratën e saj, presidentja vlerësoi edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë nismë, duke theksuar rëndësinë e faktorizimit të kombit shqiptar brenda një organizate të tillë ndërkombëtare. “Për ne është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria është e ftuar. Qëndrimi krah SHBA-së, bashkë me Shqipërinë, na jep mundësinë ta faktorizojmë edhe më shumë kombin shqiptar në një organizatë të tillë”, përfundoi Osmani.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






