

Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për vonesën ekstreme në kalimin e pagës për punonjësit e shëndetësisë.
Sipas Shoqatës, edhe pse data është 22 janar 2026, paga e muajit dhjetor 2025 ende nuk u është dhënë infermiereve dhe stafit mjekësor.
Në një deklaratë për mediat, shoqata thekson mungesën e njoftimeve dhe justifikimeve për këtë vonesë, si dhe heshtjen e institucioneve përgjegjëse dhe sindikatave që zakonisht reagojnë vetëm për interesa personale ose politike, duke mos mbrojtur punonjësit si individë.
“Edhe punonjësit heshtin nga frika e presioneve të vazhdueshme, përfshirë kërcënime për largim nga puna, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar dhe premton vetëm rritje page në formë lëmoshe për t’ua mbyllur gojën”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Në deklaratën e saj, shoqata kritikon ashpër institucionet përgjegjëse dhe sindikatat, duke theksuar se reagimet e tyre shpesh janë selektive dhe të lidhura me interesa politike apo personale, jo me mbrojtjen reale të punonjësve.
Shoqata përshkruan situatën si një problematikë të përsëritur prej vitesh, ku përgjegjësia bie mbi punonjësit që duhet të presin pa fund për të marrë të drejtën e tyre financiare. Ajo thekson se kjo situatë është e turpshme, sidomos pas shumë skandalesh dhe vjedhjesh të pajustifikuara në sektorin e shëndetësisë, kur punonjësit e frontit të parë duhet të punojnë pa sigurimin e të ardhurave të tyre. Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë shpreh shpresën se dikush do të marrë përgjegjësinë për këtë vonesë dhe se fenomeni nuk do të përsëritet më.
REAGIMI
Shoqata e Infermiereve te Shqiperise shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën ekstreme të mos kalimit të pagës për punonjësit e Shëndetësisë. Pa asnjë njoftim dhe pa asnjë justifikim edhe pse data është 22 Janar 2026 paga e muajit Dhjetor 2025 ende nuk ju është dhënë punonjësve të Shëndetësisë. Më e turpshme se kjo është dhe heshtja që ka kapluar çdo individ, punonjës dhe institucion e për më tepër sindikatat inekzistente në Shqipëri që reagojnë vetëm kur kanë interesa personale apo politike për marrje kuotash ose fondesh por që punonjësit i shohin si përfitim e jo si individ për ti përfaqësuar. Heshtja e vetë punonjësve që dhe kur sju japin hakun e merituar heshtin nga frika e presioneve të vazhdueshme që ju bëhen me largime nga puna.
Dhe qershia mbi tortë është heshtja e vetë Ministrisë lidhur me këtë shqetësim duke mos bërë asnjë reagim e për më tepër duke premtuar rritje page në formë lëmoshe ose si formë për t’ju mbyllur gojën.
Një problematikë e përsëritur prej vitesh e pa asnjë përgjegjësi e përgjegjës dhe e gjitha rëndon mbi punonjësit që rrinë me sytë nga banka kur do ju kaloj paga.
Është turp që pas kaq shumë skandalesh në Shëndetësi dhe vjedhje të pajustifikuara nuk ka akoma lekë për t’ju paguar pagat punonjësve që janë fronti i parë në përballje në çdo situatë që vendi kalon.
Duke shpresuar që dikush të dalë të mbaj përgjegjësinë për këtë shpresojmë që ky fenomen të mos përsëritet më.
Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë
22 Janar 2026, Tiranë
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






