

Itali, 22 janar 2026
Italia po përballet me pasoja të rënda nga vala e motit ekstrem që ka përfshirë disa rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe shkatërrime në infrastrukturë. Vetëm në Siçili, kostoja e dëmeve të shkaktuara nga stuhitë dhe reshjet e dendura vlerësohet në rreth 720 milionë euro, ndërsa bilanci total në nivel kombëtar pritet të afrohet me 1 miliard euro.
Guvernatori i Siçilisë, Renato Schifani, njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore, një vendim që mundëson shpërndarjen e menjëhershme të 70 milionë eurove për të përballuar nevojat më urgjente të krijuara nga moti i keq.
Situatë alarmante raportohet edhe në Sardenjë, ku presidentja e rajonit, Alessandra Tode, deklaroi se dëmet arrijnë në qindra milionë euro. Ajo ka kërkuar takime urgjente me qeverinë në Romë për të siguruar mbështetjen financiare të nevojshme. Sipas autoriteteve lokale, reshjet e pandërprera dhe dallgët e fuqishme kanë shkaktuar dëme serioze edhe në pasurinë arkeologjike të ishullit.
Gjendja më shqetësuese u regjistrua në Kalabri, ku brigjet e Detit Jon u përballën me valë gjigante deri në nëntë metra të larta. Kreu i Mbrojtjes Civile të Kalabrisë, Fabio Ciciliano, theksoi se “kjo është një lartësi ekuivalente me një ndërtesë apartamentesh me katër kate”.
Sipas tij, stuhia u shoqërua edhe me erëra që kaluan shpejtësinë 110 kilometra në orë, duke përkeqësuar ndjeshëm dëmet në zonat bregdetare, rrugë, porte dhe infrastrukturë publike. Autoritetet italiane vijojnë vlerësimin e situatës, ndërsa frika për pasoja të mëtejshme mbetet e lartë nëse kushtet e motit ekstrem vazhdojnë edhe ditët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






