

Tiranë, 22 janar 2026
Shqipëria pritet të përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve të motit pas dy ditësh, si pasojë e një qendre të re ciklonare që po fuqizohet mbi Mesdheun perëndimor dhe që pritet të përfshijë gradualisht të gjithë Ballkanin.
Meteorologia Tanja Porja, sqaroi se një qendër ciklonare e pozicionuar prej disa ditësh në Italinë jugore, kryesisht mbi Sicili, është në dobësim dhe po zhvendoset drejt juglindjes, duke prekur kryesisht Greqinë dhe jo Shqipërinë. Megjithatë, sipas saj, një tjetër sistem ciklonar është në formim dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vendin tonë.
“Një tjetër stuhi ciklonare po fuqizohet në Mesdheun perëndimor. Kjo qendër ciklonare do të na prekë edhe ne, përgjithësisht gjithë Ballkanin, duke prodhuar reshje me intensitet të paktën mesatar në të gjithë territorin shqiptar”, u shpreh Porja.
Aktualisht, vendi ndodhet nën ndikimin e kushteve relativisht të qëndrueshme të motit, me reshje të pakta dhe lokale, ndërsa temperaturat kanë shënuar rritje, duke arritur deri në 15 gradë Celsius në zonat jugperëndimore. Kjo situatë pritet të ndryshojë gjatë fundjavës, kryesisht të dielën dhe të hënën.
Sipas meteorologes, sistemi ciklonar do të sjellë vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet mesatar në të gjithë territorin shqiptar. “Deri të dielën reshjet mbeten të pakta dhe lokale, por më pas ky sistem do të sjellë reshje për gjithë Ballkanin. Në territorin shqiptar pritet kryesisht shi, ndërsa dëbora do të jetë e pranishme vetëm në zonat e thella malore”, theksoi ajo.
Temperaturat minimale nuk pritet të pësojnë luhatje të mëdha, duke qëndruar rreth zeros ose lehtësisht negative, çka bën që reshjet e dëborës të kufizohen vetëm në lartësitë e mëdha, ndërsa pjesa më e madhe e vendit do të përjetojë reshje shiu.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






