Transmetuar më 22-01-2026, 18:57

Davos, janar 2026

Teksa në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit diskutohen tema madhore si e ardhmja e Groenlandës dhe balancat globale, vëmendja publike dhe mediatike është zhvendosur papritur edhe te pamja e presidentit francez Emmanuel Macron, konkretisht te syzet e tij të reja të diellit, të cilat kanë shkaktuar një bum të papritur shitjesh.

Gjatë një fjalimi të gjatë, ish-presidenti amerikan Donald Trump gjeti kohë të ironizonte pamjen e Macronit, duke iu referuar syzeve që ai ka mbajtur së fundmi. “E dëgjova dje teksa fliste me ato syzet e bukura të diellit. Çfarë ka ndodhur? E pashë duke u shtirur si i fortë”, u shpreh Trump.

Syzet, të cilat Macron i mban prej rreth një jave për shkak të një hemorragjie nënkonjuktivale – një shqetësim shëndetësor jo serioz – kanë tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme, duke u shndërruar në një reklamë të paplanifikuar për kompaninë që i prodhon.

Bëhet fjalë për modelin Pacific S01, me çmim 659 euro, i prodhuar në Lons-le-Saunier, në rajonin francez Jura, nga shtëpia prestigjioze e syzeve Henry Jullien, e cila prej vitit 2023 është në pronësi të sipërmarrësit italian Stefano Fulchir dhe kompanisë së tij iVision Tech.

“Zakonisht prodhojmë rreth njëqind palë syze Pacific në vit, por me këtë ekspozim mediatik rrezikojmë të arrijmë deri në një mijë, sepse tani të gjithë duan të blejnë të njëjtin model”, tha Fulchir për radion franceze RTL.

Sipas tij, interesi është edhe më domethënës për kompaninë, pasi presidenti Macron ka qenë klient i hershëm. “Në vitin 2024 ai porositi një palë syze për t’ia dhuruar një ministri dhe më pas vendosi të merrte një palë edhe për vete. Presidenti këmbënguli që syzet të ishin tërësisht të punuara me dorë në Francë dhe nuk pranoi t’i merrte si dhuratë, donte t’i blinte vetë”, tregoi Fulchir.

Ndryshe nga spekulimet fillestare, nuk bëhet fjalë për modelin e famshëm Ray-Ban Aviator, të njohur nga filmi “Top Gun” dhe i veshur nga aktori Tom Cruise. Vetë shtëpia Henry Jullien publikoi në Instagram një foto të Macronit nga Davosi, duke sqaruar se modeli Pacific S01 i përket koleksionit prestigjioz Doublè Or, me kornizë metalike në ngjyrë argjendi dhe lente blu, që sipas kompanisë “krijojnë një ekuilibër ideal mes modernitetit dhe finesës”.

Një javë më parë, Macron e trajtoi me humor problemin me syrin, duke deklaruar se do të zgjasë për një periudhë dhe duke e quajtur “syrin e tigrit”, në referencë me filmin “Rocky”, si një simbol të vendosmërisë së Francës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit