

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të enjte, me 110 vota pro, projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ku socialistë e demokratë u bashkuan, pavarësisht debateve dhe tensioneve që shoqëruan seancën plenare.
Përfaqësuesit e opozitës deklaruan vazhdimisht se ishin në parim pro Bordit të Paqes, por ishin kundër përfshirjes së emrit të kryeministrit Edi Rama në marrëveshje. Për këtë arsye, deputeti Gazment Bardhi paraqiti tre amendime, të cilat u rrëzuan me 78 vota kundër.
Kujtojmë se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon arritjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Megjithatë, nisma nuk do të kufizohet vetëm në këtë konflikt.
Bordi i Paqes u themelua zyrtarisht sot në Davos.
Shumë nga vendet perëndimore kanë refuzuar deri më tani pjesëmarrjen në këtë bord.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






