Transmetuar më 22-01-2026, 14:41

Tiranë – Brenda vetëm 24 orëve janë evidentuar disa raste që tregojnë përhapjen e gjerë të drogës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme në kryeqytet. Gjatë kësaj kohe janë goditur 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë zbuluar 2 subjekte ku shiteshin lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra fati, duke nxjerrë në pah një aktivitet të shtrirë dhe të strukturuar.

Si rezultat i këtyre veprimeve janë identifikuar gjithsej 7 shtetas të përfshirë në veprimtari kriminale, ndërsa 4 prej tyre janë vënë në pranga. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sasi dhe doza të ndryshme lëndësh narkotike, tavolina për lojën “Poker”, celularë dhe një automjet.

Në kuadër të këtyre rasteve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, arrestuan shtetasit E. A., 37 vjeç, R. Gj., 29 vjeç dhe A. Th., 34 vjeç. Nga kontrollet rezultoi se shtetasit E. A. iu gjetën në automjet dhe në banesë sasi të lëndëve narkotike Ekstazi, Kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen. Dy shtetasit e tjerë u arrestuan pasi dyshohet se, pavarësisht se kishin dijeni për përfshirjen e 37-vjeçarit në këtë veprimtari kriminale, nuk e kanë kallëzuar atë.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin O. Xh., 21 vjeç, referuan materialet në Prokurori për procedim penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve V. L. dhe E. B., si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. P., 33 vjeç. Në njërin subjekt, lokal në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim, u gjetën tavolina për lojën “Poker”, ndërsa në subjektin tjetër, bilardo po në pronësi të tij, u kap 21-vjeçari me doza Cannabisi të gatshme për shitje. Dy shtetasit e proceduar dyshohet se kanë pasur dijeni për përshtatjen e ambientit për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe nuk e kanë kallëzuar në polici. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit A. P.

Të gjitha këto raste tregojnë se qarkullimi i lëndëve narkotike në Tiranë mbetet i lartë dhe i lidhur shpesh me aktivitete të tjera të paligjshme, si organizimi i lojërave të fatit në ambiente të maskuara si lokale apo bilardo.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarive dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit