

TIRANË – Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Kuvend gjatë paraqitjes së marrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ku iu përgjigj kritikave dhe akuzave të opozitës me tone të ashpra politike.
Gjatë fjalës së tij, Rama ironizoi etiketimet e përdorura ndaj tij nga opozita, duke deklaruar se shprehjen “Ramaduro” e interpreton si një thirrje për durim. Ai akuzoi kundërshtarët politikë se po e lidhin shpresën për rikthim në pushtet me proceset e drejtësisë.
“Sa herë më thoni Ramaduro, unë e dëgjoj ‘Rama duro’. SPAK është stacioni i fundit i shpresës suaj për pushtet”, u shpreh kryeministri.
Rama deklaroi se opozita ka humbur, sipas tij, një tjetër mundësi për të mbajtur një qëndrim institucional mbi një çështje me rëndësi ndërkombëtare, duke shtuar se kritikat ndaj marrëveshjes për Bordin e Paqes synojnë të minimizojnë rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, kryeministri iu referua edhe akuzave të mëparshme të opozitës lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe proceset ligjore, duke i cilësuar ato si pjesë të një narrative të përsëritur politike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






