Transmetuar më 22-01-2026, 13:02

TIRANË – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ngriti në Kuvend pikëpyetje ligjore dhe kushtetuese lidhur me procedurën e ratifikimit të marrëveshjes për Bordin e Paqes, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe shmangie nga procedurat kushtetuese.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi deklaroi se, sipas dokumentacionit të vënë në dispozicion të deputetëve, Presidenti i Republikës ka autorizuar kryeministrin për të nënshkruar marrëveshjen, pas miratimit në parim nga Këshilli i Ministrave. Megjithatë, sipas tij, në dosjen e paraqitur në Kuvend mungon firma e kreut të qeverisë, çka, sipas opozitës, e bën procesin e ratifikimit parlamentar të pakuptimtë nga pikëpamja juridike.

Bardhi theksoi se Kuvendi mund të hyjë në procedurë ratifikimi vetëm pasi marrëveshja të jetë nënshkruar nga kryeministri, i autorizuar për këtë qëllim nga Presidenti i Republikës. Ai shtoi se marrëveshja është nënshkruar në Davos nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe nga vendet e tjera themeluese, në prani të presidentit amerikan Donald Trump.

Në këtë kontekst, Bardhi ngriti pyetjen se përse kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në Davos për nënshkrimin e marrëveshjes dhe mbi çfarë baze ligjore Kuvendi po vijon procedurën e ratifikimit. Sipas tij, mungesa e firmës së kryeministrit përbën një problem thelbësor kushtetues dhe ligjor për vlefshmërinë e procesit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit