

Çfarë është Bordi i Paqes
Bordi i Paqes do të krijohet si një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Roli i Shqipërisë dhe statusi i anëtarit themelues
Relacioni thekson se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bord përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit.
Shqipëria parashikohet të ketë statusin e anëtarit themelues, çka i jep një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të Bordit.
Qeveria argumenton se ky status rrit ndjeshëm profilin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e pozicionon vendin si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve shumëvjeçare, përfshirë Lindjen e Mesme.
Dokumenti e cilëson gjithashtu këtë zhvillim si konfirmim të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si funksionon Bordi i Paqes
Sipas Kartës, Bordi do të drejtohet nga një Kryetar dhe do të ketë dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet do të merren me shumicë votash, por do të kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili gëzon edhe të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.
Anëtarësimi i shteteve do të bëhet me ftesë dhe mandat trevjeçar, me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, për të cilat nuk zbatohet kufiri trevjeçar i mandatit.
Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke përcaktuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territorit të tyre dhe nuk mund t’i detyrojë të marrin pjesë në misione pa pëlqimin e shprehur.
Financimi dhe imunitetet
Bordi i Paqes do të financohet përmes kontributeve vullnetare vjetore të shteteve anëtare.
Ndërkohë, organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar, si dhe privilegje e imunitete të nevojshme për ushtrimin e funksioneve, të rregulluara përmes marrëveshjeve me shtetet pritëse.
Efektet financiare për Shqipërinë
Relacioni sqaron se në këtë fazë, miratimi i projektligjit nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Megjithatë, anëtarësimi në Bord do të shoqërohet në të ardhmen me kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.
Kush e zbaton marrëveshjen
Për zbatimin e projektligjit ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është iniciativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






