Transmetuar më 22-01-2026, 10:49

Tiranë, 22 janar 2026 – Kuvendi i Shqipërisë ka paraqitur qëndrimin e tij në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, duke theksuar se çdo masë që prek mandatin e një anëtari të Këshillit të Ministrave kërkon miratim paraprak nga Kuvendi.

Drejtoresha e Shërbimit Juridik të Kuvendit, Mimoza Arbi, argumentoi se vendimi i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin e ministrit është marrë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese.

Sipas saj, neni 103, pika 3 e Kushtetutës parashikon se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e Kuvendit dhe nuk mund të pengohen në ushtrimin e funksioneve të tyre pa pëlqimin e këtij institucioni.

“Deputeti nuk mund të pengohet në ushtrimin e funksioneve. Ai nuk mund të kontrollohet, ndalohet apo të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Kuvendit. Po ashtu, deputeti nuk mund të arrestohet dhe as t’i nënshtrohet kontrollit personal pa miratim paraprak nga Kuvendi,” theksoi Arbi.

Në këtë kontekst, Kuvendi vlerëson se çdo masë sigurie apo vendim që cenon mandatin dhe ushtrimin e detyrës së një ministri duhet të miratohet nga organi ligjvënës, përndryshe cenohet parimi kushtetues i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Qëndrimi i Kuvendit është bërë pjesë e shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e masave të marra ndaj zëvendëskryeministres Balluku.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit