Transmetuar më 22-01-2026, 10:41

Tiranë, 22 janar 2026 – Përfaqësuesja e Kryeministrisë ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese argumentet e ankimimit kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar masë sigurie arresti.

Gjatë seancës, Kryeministria theksoi se vendimi i GJKKO-së cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke argumentuar se një gjykatë penale nuk ka të drejtë të pezullojë nga detyra një anëtar të Këshillit të Ministrave.

Përfaqësuesja sqaroi se çështja e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nuk përbën një ankimim kushtetues individual dhe nuk lidhet me mbrojtjen e të pandehurit, por ka të bëjë me marrëdhënien kushtetuese ndërmjet tre pushteteve.

“Pyetja thelbësore është nëse një gjykatë penale ka të drejtë të pezullojë nga detyra një ministër. Vlerësimi ynë është se jo,” u shpreh ajo.

Sipas Kryeministrisë, Këshilli i Ministrave paraqitet në këtë proces si organ i prekur drejtpërdrejt, pasi pezullimi i ministres pengon funksionimin normal të strukturave qeveritare dhe zbatimin e projekteve në përgjegjësi të saj. U theksua se një ministër i pezulluar nuk mund të propozojë akte në Këshillin e Ministrave, ndërsa kryeministri ndodhet në kushtet kur duhet të mbulojë fusha që nuk i përkasin drejtpërdrejt kompetencave të tij.

Në këtë kontekst, Kryeministria argumentoi se vendimi i gjykatës e vendos kryeministrin përballë nevojës për të zëvendësuar ministrin e pezulluar, duke e çuar praktikisht drejt kërkesës për shkarkim, çka përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit ekzekutiv.

Përfaqësuesja theksoi se pretendimi për ezaurimin e të gjitha shkallëve të gjyqësorit vlen vetëm për ankimimet e bëra nga individë dhe jo për rastet kur kërkues është Këshilli i Ministrave, si organ kushtetues.

“Mandati i një ministri nuk mund të pengohet nga asnjë akt i një pushteti tjetër, përveç rasteve të parashikuara nga Kushtetuta. Përndryshe, prishet balanca e pushteteve,” u shpreh ajo.

Sipas argumentimit, GJKKO ka juridiksion për të gjykuar veprën penale të një individi, por nuk ka kompetencë për të vendosur masa që prekin mandatin e tij si anëtar i Këshillit të Ministrave. Për pezullimin nga detyra, sipas Kryeministrisë, duhet të shprehet organi kompetent, ndërsa në rastet që pengojnë ushtrimin e funksionit të ministrit, autorizimi i përket Kuvendit.

Në përfundim, përfaqësuesja e Kryeministrisë deklaroi se vendimi për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës së zv.kryeministres Balluku është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pranimin e kërkesës së paraqitur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit