

Tiranë, 22 janar 2026 – Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku në rendin e ditës është votimi i projektligjit për ratifikimin e Kartës së Bordit të Paqes, pas ftesës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e këtij organizmi të ri ndërkombëtar.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i pari që mori fjalën në sallë, duke e cilësuar këtë moment si të paprecedentë në kuptimin pozitiv dhe me peshë të veçantë historike për vendin.
“Sot Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare,” u shpreh Balla.
Sipas tij, projektligji që po shqyrtohet ka të bëjë me ratifikimin e Kartës së Bordit të Paqes, një organizim i ri ndërkombëtar i ideuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku Republika e Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama janë ftuar të jenë anëtarë themelues.
Balla theksoi se kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të rolit konstruktiv të Shqipërisë në politikën ndërkombëtare dhe e pozicionon vendin si një aktor kontribuues në përpjekjet globale për vendosjen e paqes.
“Kjo ftesë nuk është formale dhe as e zakonshme. Ajo përfaqëson një moment historik, ku Shqipëria shihet si një faktor që kontribuon në zgjidhjen e konflikteve dhe në ndërtimin e paqes globale,” deklaroi ai.
Duke iu referuar nismës së presidentit amerikan, Balla theksoi se Bordi i Paqes synon të shmangë modelet burokratike që kanë dështuar ndër vite dhe të fokusohet në rezultate konkrete për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme, gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, ratifikimi i Kartës së Bordit të Paqes do të shënonte një hap të rëndësishëm për forcimin e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe për angazhimin e saj aktiv në nisma globale për sigurinë dhe paqen.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






