

Davos, 22 janar 2026 – Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, mbajti një nga fjalimet më të drejtpërdrejta dhe më të diskutuara të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke ofruar një lexim të hapur dhe kritik të krizës së rendit ndërkombëtar aktual.
Në një ndërthurje mes analizës gjeopolitike, referencave filozofike dhe historike, Carney pranoi se rendi global i bazuar në rregulla nuk funksionon më siç pretendohet dhe se bota ndodhet përballë një çarjeje strukturore, jo thjesht një tranzicioni të zakonshëm. Ai paralajmëroi se fuqitë e mesme, si Kanadaja, rrezikojnë të jetojnë “brenda një gënjeshtre” nëse vazhdojnë të sillen sikur rregullat ekzistuese ofrojnë ende mbrojtje reale.
Fjalimi i tij, i cili u bë viral në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare, vjen në një moment tensioni të shtuar global, mes rivalitetit të fuqive të mëdha, përdorimit të ekonomisë si armë dhe dobësimit të institucioneve multilaterale.
Më poshtë, fjala e plotë e Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, e mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos:
Fjala e Mark Carney:
Duket se çdo ditë na kujtohet se jetojmë në një epokë rivaliteti mes fuqive të mëdha — se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po zbehet, se të fortët mund të bëjnë çfarë munden, ndërsa të dobëtit duhet të durojnë atë që u bie për pjesë.
Dhe ky aforizëm i Tukididit na vjen si i pashmangshëm, si riafirmim i logjikës natyrore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe, përballë kësaj logjike, ekziston një prirje e fortë që shtetet të ecin me rrymën, të përshtaten, të shmangin telashet, duke shpresuar se përmes konformizmit do të mund të blejnë siguri.
Por, nuk kanë për ta blerë dot. Kështu që, cilat janë opsionet tona?
Në vitin 1978, disidenti çek Václav Havel, i cili më pas do të bëhej president, shkroi esenë me titull “Fuqia e të pafuqishmëve”, ku shtronte një pyetje të thjeshtë: si ia doli sistemi komunist të qëndronte në këmbë?
Përgjigjja e tij fillonte me një shitës perimesh.
Çdo mëngjes, dyqanxhiu vendoste në vitrinën e dyqanit pankartën me parullën: “Punëtorë të botës, bashkohuni!” Ai nuk besonte në të. Askush nuk besonte.
Por gjithsesi e vendoste pankartën për të shmangur telashet, për të treguar bindjen e tij, për t’u përshtatur. Dhe meqë çdo shitës në çdo rrugë bënte të njëjtën gjë, sistemi vazhdonte të ekzistonte — jo vetëm përmes dhunës, por përmes pjesëmarrjes së njerëzve të zakonshëm në rituale, të cilat privatisht e dinë se janë të rreme.
Havel e quajti këtë “të jetosh brenda një gënjeshtre”. Fuqia e sistemit nuk vjen nga e vërteta e tij, por nga gatishmëria e të gjithëve për të vepruar sikur ajo të ishte e vërtetë. Por edhe brishtësia e tij vjen nga i njëjti burim. Nëse qoftë edhe një person i vetëm resht së performuari, kur shitësi e heq pankartën, iluzioni fillon të kriset.
Miq, ka ardhur koha që kompanitë dhe shtetet t’i heqin pankartat e parullave nga vitrinat e tyre.
Për dekada me radhë, vende si Kanadaja përparuan nën atë që e quanim rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla.
Iu bashkuam institucioneve të këtij rendi, lavdëruam parimet e tij, përfituam nga parashikueshmëria e tij dhe falë kësaj, mundëm që nën mbrojtjen e këtij rendi, të ndjekim politika të jashtme të bazuara në vlera.
Ne e dinim se historia e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ishte pjesërisht e rreme: se më të fortët nuk i nënshtroheshin atij kur nuk iu leverdiste, se rregullat e tregtisë zbatoheshin në mënyrë asimetrike, dhe e dinim se e drejta ndërkombëtare zbatohej me nivele të ndryshme rigoroziteti, në varësi të identitetit të të akuzuarit apo të viktimës.
Ky trill ishte i dobishëm, dhe hegjemomia amerikane në veçanti ndihmoi në garantimin e të mirave publike, mbajtjen e rrugëve detare të hapura, në një sistem financiar të qëndrueshëm, në siguri kolektive dhe në e kornizat e nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Prandaj e vendosëm pankartën në dritare. Morëm pjesë në rituale dhe, në masë të madhe, shmangëm nxjerrjen në pah të hendekut që ekzistonte mes retorikës dhe realitetit.
Por, kjo ujdi nuk funksionon më.
Lejomëni të jem i drejtpërdrejtë: gjendemi në mes të një çarjeje, jo të një tranzicioni.
Përgjatë dy dekadave të fundit, një sërë krizash në financa, shëndetësi, energji dhe gjeopolitikë kanë nxjerrë në pah rreziqet e integrimit global ekstrem. Megjithatë, së fundmi, fuqitë e mëdha kanë filluar ta përdorin integrimin ekonomik si armë, tarifat si levë, infrastrukturën financiare si mjet shtrëngimi, zinxhirët e furnizimit si dobësi për t’u shfrytëzuar.
Nuk mund të jetosh brenda gënjeshtrës së përfitimit të ndërsjellë përmes integrimit, kur integrimi bëhet burimi i nënshtrimit tënd.
Institucionet multilaterale mbi të cilat janë mbështetur fuqitë e mesme — OBT-ja, OKB-ja, COP-i, vetë arkitektura e zgjidhjes kolektive të problemeve — janë të kërcënuara. Për rrjedhojë, shumë vende po arrijnë në të njëjtin përfundim: se duhet të zhvillojnë autonomi më të madhe strategjike në energji, ushqim, minerale kritike, financa dhe zinxhirë furnizimi. Ky impuls është i kuptueshëm.
Një vend që nuk mund të ushqejë veten, të furnizojë veten me energji apo të mbrojë veten, ka pak zgjedhje. Kur rregullat nuk të mbrojnë më, duhet ta mbrosh vet veten.
Por, le të jemi të qartë se ku të ]on kjo rrugë. Një botë fortesash do të jetë më e varfër, më e brishtë dhe më e paqëndrueshme.
Ka gjithashtu edhe një të vërtetë tjetër: nëse fuqitë e mëdha heqin dorë edhe nga të shtirurit se i ndjekin rregullat dhe vlerat për të ndjekur pa pengesa pushtetin dhe interesat e tyre, do të jetë më e vështirë që të riprodhohen përfitimet e transaksionalizmit.
Hegjemonët nuk mund t’i monetizojnë pafundësisht marrëdhëniet e tyre. Aleatët do të diversifikohen për t’u mbrojtur nga pasiguria. Do të blejnë siguri, do të rrisin opsionet për të rindërtuar sovranitetin — sovranitet që dikur garantohej nga rregullat, por që gjithnjë e më shumë do të mbështetet te aftësia për t’i bërë ballë presionit.
Kjo sallë e di se këtu kemi të bëjmë me menaxhim klasik të rrezikut. Menaxhimi i rrezikut ka kosto, por edhe kostoja e autonomisë strategjike dhe sovranitetit, mund të ndahet. Kushton më pak të investosh kolektivisht në rezistencë, se sa secili të ndërtojë fortesën e vet. Standardet e përbashkëta reduktojnë fragmentimin.
Dilema për fuqitë e mesme si Kanadaja nuk është nëse duhet të përshtatemi me realitetin e ri — kjo as që diskutohet. Pyetja është nëse duhet të përshtatemi thjesht duke ngritur mure më të larta, apo nëse mund të bëjmë diçka më ambicioze.
Kanadaja ishte ndër vendet e parat që e dëgjoi zilen e zgjimit, gjë që na çoi në një ndryshim thelbësor të qëndrimit tonë strategjik. Kanadezët e dinë se supozimet tona të vjetra e komode — se gjeografia dhe anëtarësimet në aleanca na garantonin automatikisht prosperitet dhe siguri — nuk vlejnë më. Dhe qasja jonë e re mbështetet te ajo që Alexander Stubb, presidenti i Finlandës, e ka quajtur realizëm i bazuar në vlera.
Ose, për ta thënë ndryshe, synojmë të jemi njëkohësisht parimorë dhe pragmatikë. Parimorë në përkushtimin tonë ndaj vlerave themelore, sovranitetit, integritetit territorial, mospërdorimit të forcës përveçse kur është në përputhje me Kartën e OKB-së, dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Dhe pragmatikë në njohjen se përparimi është shpesh gradual, se interesat divergojnë dhe se jo çdo aleat ndan të gjitha vlerat tona.
Prandaj po angazhohemi gjerësisht, strategjikisht, me sy hapur. Ne e përballojmë botën ashtu siç është, jo siç do të donim të ishte.
Po i kalibrojmë marrëdhëniet tona që thellësia e tyre të pasqyrojë vlerat tona, dhe po i japim përparësi angazhimit të gjerë për të maksimizuar ndikimin tonë, duke pasur parasysh fluiditetin e botës sot, rreziqet që kjo sjell dhe peshën e asaj që vjen më pas.
Dhe nuk po mbështetemi më vetëm te forca e vlerave tona, por edhe te vlera e forcës sonë.
Po e ndërtojmë këtë forcë në shtëpi. Që kur qeveria ime mori detyrën, kemi ulur taksat mbi të ardhurat, mbi fitimet kapitale dhe investimet e biznesit. Kemi hequr të gjitha barrierat federale për tregtinë ndërprovinciale. Po përshpejtojmë investime prej 1 trilion dollarësh në energji, inteligjencë artificiale, minerale kritike, korridore të reja tregtare dhe më gjerë. Po e dyfishojmë shpenzimin për mbrojtjen deri në fund të kësaj dekade, duke e bërë këtë në mënyra që ndërtojnë industrinë tonë vendase. Dhe po diversifikohemi me shpejtësi jashtë vendit.
Kemi rënë dakord për një partneritet strategjik gjithëpërfshirës me BE-në, përfshirë anëtarësimin në SAFE, mekanizmat evropianë të prokurimit të mbrojtjes. Kemi nënshkruar 12 marrëveshje të tjera tregtare dhe sigurie në katër kontinente brenda gjashtë muajsh.
Ditët e fundit, kemi përfunduar partneritete të reja strategjike me Kinën dhe Katarin. Po negociojmë marrëveshje tregtare të lira me Indinë, ASEAN-in, Tajlandën, Filipinet dhe Mercosur-in.
Po bëjmë edhe diçka tjetër: për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve globale, po ndjekim gjeometri të ndryshueshme — pra, koalicione të ndryshme për çështje të ndryshme, të bazuara në vlera dhe interesa të përbashkëta. Kështu, për Ukrainën, jemi anëtar kyç i Koalicionit të të Vullnetshmëve dhe një nga kontribuuesit më të mëdhenj për frymë në mbrojtjen dhe sigurinë e saj.
Për sovranitetin e Arktikut, qëndrojmë fuqishëm me Groenlandën dhe Danimarkën dhe mbështesim plotësisht të drejtën e tyre unike për të përcaktuar të ardhmen e Groenlandës.
Angazhimi ynë ndaj Nenit 5 të NATO-s është i palëkundur, ndaj po punojmë me aleatët tanë të NATO-s, përfshirë Tetëshen Nordike-Baltike, për të forcuar më tej krahët veriorë dhe perëndimorë të aleancës, përfshirë përmes investimeve të paprecedenta të Kanadasë në radarë “over-the-horizon”, në nëndetëse, në avionë dhe trupa në terren — trupa mbi akull.
Kanadaja kundërshton fuqishëm tarifat mbi Groenlandën dhe bën thirrje për bisedime të fokusuara për të arritur objektivat tona të përbashkëta të sigurisë dhe prosperitetit në Arktik.
Në tregtinë plurilaterale, po udhëheqim përpjekjet për të ndërtuar një urë mes Partneritetit Trans-Paqësor dhe Bashkimit Evropian, që do të krijonte një bllok të ri tregtar prej 1.5 miliardë njerëzish.
Për mineralet kritike, po formojmë klube blerësish të ankoruara te G7-a, në mënyrë që bota të diversifikohet larg furnizimit të përqendruar. Dhe për inteligjencën artificiale, po bashkëpunojmë me demokraci me mendësi të njëjtë për të siguruar që në fund të mos detyrohemi të zgjedhim mes hegjemonëve dhe hiperskaluesve.
Kjo nuk është multilateralizëm naiv, as mbështetje te institucionet e tyre. Është ndërtim koalicionesh që funksionojnë, çështje pas çështjeje, me partnerë që ndajnë mjaftueshëm terren të përbashkët për të vepruar së bashku. Në disa raste, kjo do të përfshijë shumicën dërrmuese të vendeve. Ajo që po bën është krijimi i një rrjeti të dendur lidhjesh në tregti, investime dhe kulturë, mbi të cilin mund të mbështetemi për sfidat dhe mundësitë e ardhshme.
Qëndrimi ynë është se fuqitë e mesme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk jemi në tryezë, jemi në menu.
Por do të thoja gjithashtu se fuqitë e mëdha, për momentin, mund ta përballojnë të veprojnë vetëm. Ato kanë madhësinë e tregut, kapacitetin ushtarak dhe levën për të diktuar kushtet. Fuqitë e mesme nuk e kanë këtë luks. Dhe kur negociojmë vetëm bilateral me një hegjemoni, negociojmë nga pozita dobësie. Pranojmë çfarë na ofrohet. Konkurojmë me njëri-tjetrin për të qenë më të përshtatshmit.
Kjo nuk është sovranitet. Është performanca e sovranitetit duke pranuar nënshtrimin.
Në një botë rivaliteti mes fuqive të mëdha, vendet në mes kanë një zgjedhje: të konkurrojnë me njëri-tjetrin për favor, ose të bashkohen për të krijuar një rrugë të tretë me ndikim. Nuk duhet të lejojmë që ngritja e fuqisë së fortë të na verbojnë ndaj faktit se fuqia e legjitimitetit, integritetit dhe rregullave do të mbetet e fortë, nëse zgjedhim ta përdorim së bashku.
Kjo më kthen te Haveli. Çfarë do të thotë për fuqitë e mesme të jetojnë të vërtetën?
Së pari, do të thotë të emërtojmë realitetin. Të ndalojmë së thirruri rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla sikur ende funksionon siç reklamohet. Ta quajmë për atë që është: një sistem rivaliteti gjithnjë e më intensiv mes fuqive të mëdha, ku më të fuqishmit ndjekin interesat e tyre duke përdorur integrimin ekonomik si shtrëngim.
Do të thotë të veprojmë në mënyrë të qëndrueshme, duke aplikuar të njëjtat standarde për aleatët dhe rivalët. Kur fuqitë e mesme kritikojnë shtrëngimin ekonomik nga një drejtim, por heshtin kur vjen nga një tjetër, ne po e mbajmë pankartën në dritare.
Do të thotë të ndërtojmë atë që pretendojmë se besojmë, në vend që të presim rikthimin e rendit të vjetër. Do të thotë të krijojmë institucione dhe marrëveshje që funksionojnë ashtu siç përshkruhen, dhe të reduktojmë levat që mundësojnë shtrëngimin.
Kjo do të thotë të ndërtojmë një ekonomi të fortë vendase. Duhet të jetë prioriteti i menjëhershëm i çdo qeverie.
Dhe diversifikimi ndërkombëtar nuk është thjesht maturi ekonomike; është themeli material i një politike të jashtme të ndershme, sepse vendet fitojnë të drejtën për qëndrime parimore duke ulur cenueshmërinë e tyre ndaj hakmarrjes.
Pra, Kanadaja. Kanadaja ka atë që bota dëshiron. Ne jemi një superfuqi energjetike. Mbajmë rezerva të mëdha mineralesh kritike. Kemi popullsinë më të arsimuar në botë. Fondet tona të pensioneve janë ndër investitorët më të mëdhenj dhe më të sofistikuar në botë. Me fjalë të tjera, kemi kapital dhe talent. Kemi gjithashtu një qeveri me kapacitet fiskal të jashtëzakonshëm për të vepruar me vendosmëri. Dhe kemi vlerat të cilave shumë të tjerë u aspirojnë.
Kanadaja është një shoqëri pluraliste që funksionon. Hapësira jonë publike është e zhurmshme, e larmishme dhe e lirë. Kanadezët mbeten të përkushtuar ndaj qëndrueshmërisë. Ne jemi një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm në një botë që nuk është aspak e tillë — një partner që ndërton dhe vlerëson marrëdhënie afatgjata.
Dhe kemi diçka tjetër: kemi njohjen e asaj që po ndodh dhe vendosmërinë për të vepruar në përputhje me të. E kuptojmë se kjo çarje kërkon më shumë sesa përshtatje. Kërkon ndershmëri për botën ashtu siç është.
Ne po e heqim pankartën nga dritarja.
E dimë se rendi i vjetër nuk po kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është strategji, por besojmë se nga çarja mund të ndërtojmë diçka më të madhe, më të mirë, më të fortë, më të drejtë. Ky është misioni i fuqive të mesme — vendeve që kanë më shumë për të humbur nga një botë fortesash dhe më shumë për të fituar nga bashkëpunimi i vërtetë.
Të fortët kanë fuqinë e tyre. Por ne kemi gjithashtu diçka: aftësinë për të reshtur së shtiruri, për t’i thënë gjërat si janë, për të ndërtuar forcuar shtëpinë tonë dhe për të vepruar së bashku.
Kjo është rruga e Kanadasë. Ne e zgjedhim hapur dhe me besim, dhe është një rrugë e hapur për çdo vend që është i gatshëm ta ndjekë së bashku me ne.
Faleminderit shumë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






