Transmetuar më 22-01-2026, 10:14

Australi, 22 janar 2026 – Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në një qytet të vogël të shtetit të Uellsit të Ri Jugor, ndërsa një person tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme. Autori i dyshuar i ngjarjes është ende në arrati.

Sipas mediave australiane, incidenti ka ndodhur rreth orës 16:40, në Lake Cargelligo, kur shërbimet e emergjencës janë njoftuar për të shtëna me armë në Rrugën Walker, pranë kryqëzimit me Rrugën Yelkin. Burime zyrtare bëjnë me dije se viktimat janë dy gra dhe një burrë.

Policia ka bërë thirrje që banorët të shmangin zonën dhe të qëndrojnë brenda banesave, pasi i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe konsiderohet ende i rrezikshëm. Mediat lokale raportojnë se në operacionin e kërkimit janë angazhuar edhe njësi speciale të policisë, të armatosura rëndë.

Sipas Sydney Morning Herald, autoritetet po hetojnë mundësinë që ngjarja të lidhet me një rast dhune në familje. E njëjta media raporton se i dyshuari mund të jetë larguar nga zona me një automjet që i përkiste këshillit lokal.

Lake Cargelligo ndodhet në pjesën qendrore të Uellsit të Ri Jugor dhe ka rreth 1,500 banorë. Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm disa javë pas sulmit masiv në Bondi Beach, Sydney, ku humbën jetën 15 persona, një ngjarje që tronditi opinionin publik australian.

Policia vijon hetimet dhe deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nëse autori ishte i njohur për viktimat apo nëse ekziston rrezik i mëtejshëm për komunitetin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit