

Tiranë, 22 janar 2026 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me çështjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në reagimin e saj, GJKKO sqaron se nuk legjitimohet të marrë pjesë si palë në këtë proces kushtetues, duke argumentuar se kontrolli kushtetues ushtrohet mbi aktin apo vendimin gjyqësor dhe jo mbi vetë gjykatën që e ka nxjerrë atë. Sipas GJKKO-së, përfshirja e saj në këtë proces do të binte ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të gjyqësorit.
Gjykata thekson gjithashtu se pjesëmarrja si palë do të krijonte perceptimin se po mbron vendimin e saj, duke rrezikuar besimin e publikut në paanshmërinë e drejtësisë penale. Po ashtu, evidentohet se vendimet e gjykatave të shkallës së parë janë të ankimueshme vetëm në gjykatat më të larta të juridiksionit të zakonshëm dhe jo përmes gjykimit kushtetues.
Në përfundim, GJKKO nënvizon se, duke qenë se çështja ndaj zëvendëskryeministres Balluku është ende në proces, pjesëmarrja e saj në këtë gjykim kushtetues do të ishte jashtë kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta.
NJOFTIMI I GJKKO:
"Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:
Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave…,
Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






