

Avokati Kujtim Cakrani me deklarata të forta për 21 Janarin: Akuza ndaj Edi Ramës, dyshime mbi autorësinë e vrasjeve dhe referenca për Ziver Veizin
Avokati Kujtim Cakrani ka bërë deklarata të forta dhe polemike lidhur me ngjarjet e 21 Janarit, duke sulmuar drejtpërdrejt ish-liderin e opozitës së asaj kohe, Edi Rama, si edhe njërin prej viktimave të protestës.
Duke folur në A2, Cakrani tha se Ziver Veizi, një nga katër protestuesit e vrarë, kishte precedentë penalë në Greqi dhe, sipas tij, ishte sjellë në Shqipëri për të nxitur trazira. Ai tha se Veizi prej vitesh nuk jetonte në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare.
Sipas Cakranit, Veizi ishte dënuar për vjedhje dhe vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai, gjatë kohës që ushtronte detyrën në Gjirokastër.
“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin kushtetues, donin një ’97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerë për vjedhje, i vidhte grave unazat. Pyeteni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër. Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën. Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontigjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror, sepse opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e Gjykatës Evropiane”, deklaroi Cakrani.
Ai hodhi gjithashtu dyshime mbi autorësinë e vrasjeve, duke thënë se nuk është e qartë nëse viktimat u vranë nga Garda e Republikës apo nga ajo që ai e quajti “partia që donte heronj”.
“PS është parti që do heronj, i nxorën në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, tha Cakrani, duke bërë thirrje që për këtë çështje të bëhet drejtësi.
Avokati bëri të ditur gjithashtu se Ilir Meta ka dëshmuar për rreth një orë në SPAK, ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit.
“Ilir Meta ka dhënë dëshminë më të saktë për 21 Janarin, sepse ajo ngjarje u bë për të. Ai ka qenë në heshtje gjithë këto kohë. Është pyetur në SPAK rreth një muaj më parë dhe ka dhënë versionin e tij. Shërbimet kishin informacion se bëhej fjalë për një kryengritje dhe se do të kishte viktima. Shërbimet amerikane e kanë njoftuar Ilir Metën. Ai ka bërë një letër të detajuar para ngjarjes, ku paralajmëronte se çfarë pritej të ndodhte”, tha Cakrani.
Në fund, ai e cilësoi si të montuar edhe videon e famshme të publikuar nga Dritan Prifti, duke deklaruar se ajo ishte pjesë e një skenari politik, i cili, sipas tij, çoi në ngjarjet tragjike të 21 Janarit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






