Transmetuar më 22-01-2026, 08:16

Ligji që u jep qytetarëve dhe bizneseve mundësinë të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme me një normë tatimore të reduktuar prej 5% hyn zyrtarisht në fuqi më 22 janar.

Megjithatë, procesi praktik i rivlerësimit do të nisë javën e dytë të shkurtit dhe do të jetë i hapur deri më 31 dhjetor 2026. Përmes këtij mekanizmi, individët që zotërojnë pasuri të paluajtshme mund të rrisin vlerën e tyre fiskale duke e përafruar me vlerën reale të tregut.

Rivlerësimi pritet të ndikojë pozitivisht në tregun imobiliar, duke nxitur shit-blerjen e pronave. Deri më tani, shumë pronarë dhe agjenci imobiliare kishin pezulluar transaksionet, në pritje të miratimit të ligjit, për të shmangur tatimin më të lartë prej 15%.

Procedurat kryesore për rivlerësimin

Sipas ligjit, rivlerësimi i pronës mund të kryhet në dy mënyra:

nga një ekspert i licencuar i vlerësimit;

ose nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Nëse pronari zgjedh rivlerësimin sipas vlerës së tregut, ai duhet të angazhojë një ekspert të licencuar. Në këtë rast, aplikimit për rivlerësim i bashkëlidhet edhe akti i vlerësimit i përgatitur nga eksperti.

Më pas, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin bazën e tatueshme dhe shumën e tatimit që duhet të paguajë individi, në mënyrë që rivlerësimi i pasurisë të regjistrohet zyrtarisht.

Çfarë duhet të dini

Procesi i rivlerësimit do të shtrihet nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2026, duke përfshirë të gjithë territorin e vendit. Nuk përjashtohet mundësia që fushata të shtyhet edhe në vitin 2027, ashtu siç ka ndodhur në raste të mëparshme.

Rivlerësimi do të kryhet me një normë tatimore prej 5%, ndjeshëm më e ulët se norma aktuale 15% që aplikohet në rast shitjeje të pronës. Megjithatë, kjo përqindje prej 5% përbën normën më të lartë të aplikuar ndonjëherë në proceset e rivlerësimit, pasi në rivlerësimet e mëparshme tatimi ka qenë nga 1% deri në 3%.

Norma prej 5% do të jetë e njëjtë si për individët ashtu edhe për bizneset. Tatimi do të paguhet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe vlerës së re të pronës.

Për herë të parë, ligji parashikon edhe njohjen e amortizimit të pronës, pra vjetërsinë e saj. Kjo do të thotë se sa më e vjetër të jetë prona, aq më i ulët do të jetë tatimi që do të paguhet pas rivlerësimit.

Një tjetër element i rëndësishëm është se gjatë këtij viti do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme, të konsultuara gjatë vitit 2025. Si pasojë, me përjashtim të Tiranës, vlera e pronave në pjesën më të madhe të vendit pritet të rritet.

Rivlerësimi i fundit i pasurive të paluajtshme u zhvillua në periudhën 2020–2022, me normë tatimore 3%, dhe përfshiu rreth 94 mijë pasuri në pronësi të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare.

Nga ajo fushatë, buxheti i shtetit përfitoi qindra milionë euro, një efekt financiar që pritet të përsëritet edhe këtë herë me nisjen e procesit të ri të rivlerësimit.

Shembull

Nëse keni blerë një apartament në Tiranë në vitin 2010 dhe ai ka kushtuar 50 mijë euro, kurse tani çmimi i tregut është 100 mijë euro, ju do të paguani për rivlerësimin, 5 për qind të pjesës prej 50 mijë eurosh diferencë, pra 2.500 euro, nëse ju zgjidhni të aplikoni për çmimin e tregut dhe më pak nëse zgjidhni çmimin e referencës së zonës ku ndodhet apartamenti juaj.

Por kujdes, nëse apartamenti është blerë me euro, 50 mijë dhe kursi ka qenë 140 lekë, kjo do të thotë se keni paguar 7 milionë lekë. Ndërsa sot, nëse vlera në treg është 100 mijë euro vlera në lekë është 9 milionë e 645 mijë lekë sipas kursit ditor të këmbimit të Bankës së Shqipërisë. Kështu diferenca është 2.645.000 lekë. Pikërisht vlera 5 për qind e kësaj shumë do të paguhet, ose 132.250 lekë.

Mos harroni, çmimet e shitblerjes, referencës dhe tregut njihen vetëm me lekë nga autoritetet shtetërore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit