

Tiranë, 22 janar 2026 Numri i punonjësve dhe fondet buxhetore për administratën publike kanë arritur nivele rekord në vitin 2025, ndërsa qeveria ka rritur ndjeshëm edhe financimet për qeverisjen digjitale. Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave historike, qytetarët dhe bizneset raportojnë vështirësi gjithnjë e më të mëdha në aksesimin e shërbimeve publike, veçanërisht atyre online.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2014 shpenzimet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, me rreth 163 mijë të punësuar në sektorin publik. Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron rreth 184 mijë punonjës, ndërsa shpenzimet buxhetore për personelin janë rritur në rreth 129 miliardë lekë. Vetëm nga viti 2024 në 2025, numri i punonjësve është zgjeruar me 12.7%, ndërsa shpenzimet për ta janë rritur me rreth 80%.
Paralelisht me zgjerimin e administratës, investimet për qeverisjen digjitale janë rritur me ritme të shpejta gjatë gjashtë viteve të fundit. Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u trefishua brenda një viti, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, nga rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019. Në total, në katër vitet e fundit janë shpenzuar rreth 48.4 miliardë lekë, ose afro 500 milionë euro, për projekte të digjitalizimit.
Qeveria e ka promovuar digjitalizimin si një shtyllë kyçe të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Por në praktikë, muajt e fundit kanë nxjerrë në pah probleme serioze funksionimi. Platforma kryesore e shërbimeve elektronike, e-Albania, është përballur me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe pamundësi aksesimi, duke penguar marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave administrative dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Bizneset raportojnë se e-Albania dhe sistemet e lidhura me të janë kthyer në një pengesë reale për aktivitetin e përditshëm. Shpesh, subjektet nuk arrijnë të aksesojnë sistemin “self care”, përmes të cilit verifikohen faturat e blerjes dhe shitjes, kryhet fiskalizimi i importeve apo lëshohen fatura pa përdorur programe të posaçme. Këto probleme kanë sjellë vonesa në furnizime, bllokim të mallrave dhe pamundësi për të realizuar shitje, me pasoja direkte financiare.
Ekonomistë dhe përfaqësues biznesesh theksojnë se nuk ekziston një mekanizëm i qartë ankese apo një autoritet që të mbajë përgjegjësi kur sistemet nuk funksionojnë. “Në momente të caktuara nuk fiskalizohen faturat dhe mallrat nuk mund të lëvizin, sepse nuk ka dokumentacion. Shoferët presin, bizneset humbasin, ndërsa askush nuk jep sqarime”, shprehen ata.
Sipas ekspertëve të teknologjisë, rritja e shpejtë e investimeve nuk është shoqëruar me forcim proporcional të kapaciteteve teknike dhe njerëzore për mirëmbajtjen dhe sigurinë e sistemeve. Një pjesë e projekteve digjitale janë ndërtuar në mënyrë fragmentare, pa integrim të plotë dhe pa testime të mjaftueshme nën ngarkesë të lartë përdorimi.
Të dhënat tregojnë se vetëm në vitin 2025, administrata publike dhe e-qeverisja kanë përfituar rreth 149 miliardë lekë, ose afërsisht 1.5 miliardë euro, që përbëjnë rreth 18% të shpenzimeve totale buxhetore. Kjo shumë është 108% më e lartë krahasuar me vitin 2014.
Pavarësisht këtij financimi masiv, hendeku mes investimeve dhe funksionimit real të shërbimeve publike mbetet i theksuar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi eficiencën, përgjegjshmërinë dhe ndikimin real të këtyre shpenzimeve në jetën e qytetarëve dhe në aktivitetin ekonomik të vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






