

Tiranë, 22 janar 2026 Qeveria shqiptare ka konfirmuar skenarin e saj për rritjen ekonomike në periudhën 2027–2029, duke parashikuar një zgjerim relativisht të qëndrueshëm të ekonomisë, pavarësisht dobësimit të sektorëve kryesorë prodhues. Sipas kuadrit të ri makroekonomik, të botuar në Fletoren Zyrtare, rritja ekonomike pritet të jetë 4% këtë vit, 3.9% në vitin 2027 dhe 4.1% në vitin 2028.
Dokumenti zyrtar evidenton se zgjerimi ekonomik do të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, veçanërisht konsumi privat dhe investimet, ndërsa eksportet neto parashikohet të kenë një ndikim vetëm të moderuar pozitiv. Konsumi pritet të rritet mesatarisht me 2.9% në vit, ndërsa investimet me rreth 4.9%, të nxitura nga përmirësimi i besimit dhe kushtet më të lehta të kreditimit.
Eksportet parashikohen të vijojnë një “trend pozitiv”, me rritje mesatare 4.6% në vit gjatë periudhës 2027–2029, kryesisht falë turizmit. Megjithatë, këto pritshmëri bien në kontrast me zhvillimet e viteve të fundit, ku eksportet e mallrave kanë shënuar rënie, prodhimi bujqësor është tkurrur dhe industria ka humbur peshë në ekonomi, duke reflektuar dobësimin e bazës prodhuese dhe konkurruese të vendit.
Edhe nga ana e ofertës, projeksionet e qeverisë tregojnë një ekonomi gjithnjë e më të orientuar drejt shërbimeve. Bujqësia parashikohet të rritet me vetëm 0.2% në vit, me ndikim pothuajse të papërfillshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Industria pritet të rritet me 2.6%, ndërsa barra kryesore e rritjes do të mbahet nga shërbimet dhe ndërtimi.
Punësimi, sipas projeksioneve, do të rritet vetëm në mënyrë simbolike, me rreth 0.1% në vit. Zgjerimi i forcës së punës pritet të vijë më shumë nga rritja e pjesëmarrjes sesa nga krijimi i vendeve të reja të punës në sektorët prodhues.
Në këtë kontekst, parashikimet optimiste të rritjes ekonomike nuk mbështeten në forcimin e kapaciteteve prodhuese, por kryesisht në supozime për konsum më të lartë, turizëm më të fortë dhe një klimë financiare më të favorshme, ndërkohë që baza prodhuese e ekonomisë shqiptare vijon të dobësohet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






