Transmetuar më 22-01-2026, 07:33

Vendi ynë po ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).

Ja parashikimi i motit për sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Evropë që ju sjell noa.al sipas MeteoAlb.

Shqipëria – Moti | E enjte, 22 janar 2026

Masat ajrore të paqëndrueshme do të vijojnë ndikimin e tyre mbi territorin shqiptar, duke sjellë vranësira të shpeshta. Më të dendura vranësirat do të paraqiten në zonat veriore dhe veriperëndimore, ku do të gjenerohen reshje shiu, si edhe reshje dëbore në zonat e thella malore.

Gjatë orëve të pasdites dhe në vijim, pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin e vendit, duke sjellë rrebeshe afatshkurtra shiu, si edhe reshje dëbore përgjatë shtrirjes lindore.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje, duke u luhatur nga -1°C, vlera minimale e shënuar në Bajram Curri, deri në 14°C, vlera maksimale që pritet në qarqet Fier dhe Durrës.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë, me shpejtësi mbi 45 km/h, nga drejtimi kryesisht lindor. Si pasojë, në brigjet detare do të krijohet dallgëzim mbi 2 ballë.

Kosova Moti – Enjte, 22 Janar 2026

Do të vijojë Republika e Kosovës nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke sjellë mbizotërim të vranësirave dhe reshjeve të shiut dhe dëborës. Parashikohet që gjatë pasdites dhe në vijim të ketë dendësim të vranësirave në pjesën më të madhe të vendit, duke rikthyer reshjet e shiut dhe dëborës, por në sasi të pakta. Gjatë natës pritet dobësim i sistemit të vranësirave në territor.

Do të mbeten problematike ngricat në akset rrugore, si pasojë e temperaturave të ulëta disa gradë nën zero. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje, duke u luhatur nga -5°C, temperatura më e ulët e cila do të shënohet në Mitrovicë, ndërsa maksimumi do të ngjitet jo më shumë se 7°C në Prizren.

Era do të fryjë e fortë, duke arritur shpejtësi mbi 75 km/h nga drejtimi kryesisht lindor.

Maqedonia e Veriut Moti – E Enjte, 22 Janar 2026 –

Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë nën dominimin e vranësirave të shpeshta, duke gjeneruar reshje të pakta shiu dhe dëbore. Parashikohet që orët e pasdites dhe në vijim të sjellin zhvillim të mëtejshëm të vranësirave, duke gjeneruar rrebeshe shiu si edhe reshje dëbore në zonat e thella malore; më të dendura reshjet do të jenë në zonat kufitare me Shqipërinë.

Herë pas here priten stuhi të forta ere. Rikthehen ngricat në disa qytete të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje, duke u luhatur nga -4°C temperatura më e ulët e cila do të shënohet në Gostivar, dhe maksimumi do të ngjitet jo më shumë se 8°C në qytetin e Shkupit.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë, duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht juglindor.

Europa Moti – Enjte, 22 Janar 2026 –

Rajoni i Ballkanit do të paraqitet me vranësira dhe reshje shiu e dëbore, herë pas here të shoqëruara me stuhi të forta ere. Po ashtu, përkeqësohet situata meteorologjike në Ishujt Britanikë si edhe në Europën Jugperëndimore, ku vranësirat dhe reshjet e shiut do të jenë me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv.

Kjo situatë vjen si pasojë e një qendre të fuqishme ciklonare të zhvilluar përkatësisht në Oqeanin Atlantik, ndërsa nën dominimin e masave ajrore të qëndrueshme do të jenë Gadishulli Skandinav, Rajoni i Baltikut si edhe pjesa më e madhe e Europës Qendrore, duke bërë që moti të jetë i kthjellët me temperatura të ulëta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit