Transmetuar më 22-01-2026, 07:26

Tiranë, 22 janar 2026 Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë sot përplasjen institucionale mes qeverisë dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO) lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Seanca publike nis në orën 10:00, me relator gjyqtarin Sandër Beci, dhe vjen pas ankimit të kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të GJKKO-së të marrë në nëntor 2025.

Në seancë janë thirrur përfaqësues të Këshillit të Ministrave, SPAK-ut, GJKKO-së, Kuvendit dhe Presidencës, si subjekte të interesuara në këtë çështje, e cila konsiderohet precedenti më i fortë institucional mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor në vitet e fundit.

Kryeministri Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, duke argumentuar se pezullimi i një anëtari të qeverisë përbën ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në kompetencat ekskluzive të ekzekutivit. Sipas tij, Kushtetuta ia njeh kryeministrit të drejtën për propozimin dhe shkarkimin e ministrave, ndaj GJKKO nuk mund të ushtrojë këtë kompetencë.

Qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së vetëm për masën e pezullimit nga detyra të Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Masa tjetër, ndalimi i daljes jashtë vendit, nuk është ankimuar. Po ashtu, Rama i ka kërkuar Kushtetueses interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, i cili parashikon se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit.

Nga ana tjetër, GJKKO mbron ligjshmërinë e vendimit të saj. Në arsyetim, gjyqtari Erion Çela thekson se masa e pezullimit është e nevojshme për të shmangur rrezikun e ndërhyrjes në prova, ndikimin mbi procesin hetimor, si dhe mundësinë e përsëritjes së veprës penale. Sipas GJKKO-së, masa nuk cenon të drejtën e Ballukut për të ushtruar mandatin e deputetes në Kuvend.

Çështja merr një tjetër dimension politik dhe penal, pasi SPAK ka depozituar në Kuvend kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut. Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve më 28 janar, duke shtuar presionin mbi shumicën parlamentare.

Belinda Balluku është e pandehur për tenderin 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për procedurat e disa loteve të Unazës së Madhe, ndërsa po verifikohen edhe tenderë të tjerë të dhënë gjatë drejtimit të saj në ministri.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë përcaktues jo vetëm për fatin politik dhe ligjor të Ballukut, por edhe për kufijtë e kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë së posaçme në Shqipëri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit