Transmetuar më 21-01-2026, 23:30

Uashington, 21 janar 2026 Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Faton Bislimi, ka deklaruar se miratimi i rezolutës amerikane për Luginën e Preshevës përbën një fitore të rëndësishme politike dhe morale për shqiptarët e kësaj zone.

Në një reagim nga Capitol Hill, Bislimi bëri të ditur se Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA ka miratuar rezolutën H.R. 6411, të iniciuar nga kongresmeni Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën, e cila adreson shkeljet e të drejtave etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas tij, rezoluta ka marrë mbështetje dypartiake nga drejtuesit e Komitetit, Brian Mast dhe Gregory Meeks, duke i hapur rrugë miratimit të saj në seancë plenare të Kongresit amerikan në një fazë të afërt.

Bislimi e cilësoi këtë zhvillim si rezultat të një përpjekjeje të gjatë dhe të vazhdueshme që daton prej vitit 2001, nën angazhimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të drejtuar nga Joe dhe Shirley DioGuardi, si dhe të organizatës “Albanians For America”, veçanërisht komunitetit shqiptar në Texas.

“Rezoluta i jep fund heshtjes institucionale ndaj diskriminimit sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe vendos përgjegjësi politike e ligjore mbi autoritetet në Beograd”, u shpreh Bislimi, duke e cilësuar këtë moment si një sinjal të fortë nga Uashingtoni kundër padrejtësive etnike në rajon.

Ai theksoi se miratimi i rezolutës përkon simbolikisht me përvjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke nënvizuar se vizioni i tij për aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara po materializohet në veprime konkrete.

“Rugova nuk ishte retorikë, por orientim strategjik. Sot, kjo rezolutë dëshmon se besimi në Amerikë dhe në drejtësinë ndërkombëtare ishte rruga e duhur”, theksoi ai.

Rezoluta H.R. 6411 parashikon vlerësimin institucional të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kërkon nga autoritetet amerikane monitorim dhe presion diplomatik ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Sipas Bislimit, ky zhvillim përbën një hap konkret drejt shtrirjes së lirisë dhe barazisë edhe për shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës, duke e cilësuar momentin si “ditë të bardhë për mbarë kombin shqiptar”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit