

Vatikan, 21 janar 2026 Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka paraqitur Selisë së Shenjtë një kërkesë zyrtare për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e propozuar për rindërtimin e Gazës dhe zonave të tjera të prekura nga konfliktet, raportoi agjencia “Reuters”.
Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, deklaroi se Selia e Shenjtë do të marrë kohën e nevojshme për të shqyrtuar ftesën, duke theksuar se çdo vendim do të bazohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
“Papa Leone XIV e ka marrë ftesën dhe aktualisht po e vlerësojmë me kujdes. Është një çështje që kërkon reflektim dhe nuk mund të marrë përgjigje të menjëhershme”, tha Parolin gjatë një aktiviteti në Romë.
Kardinali sqaroi gjithashtu se Vatikani nuk ka mundësi dhe as synim për të kontribuar financiarisht në këtë bord. “Ne nuk marrim pjesë ekonomikisht dhe nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë. Pozicioni ynë është i ndryshëm nga ai i shteteve”, theksoi ai, duke lënë të kuptohet se çdo rol eventual do të ishte i natyrës morale ose diplomatike.
Duke folur për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës, Parolin paralajmëroi se tensionet në rritje po krijojnë një klimë të rrezikshme në nivel global, duke bërë thirrje për dialog dhe shmangie të polemikave.
Nga ana e tij, Trump, duke folur nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, deklaroi se “e do shumë Evropën”, por kritikoi drejtimin që, sipas tij, ajo ka marrë.
Në reagimin e tij, Parolin u shpreh se përtej qëndrimeve personale apo politike, respektimi i së drejtës ndërkombëtare duhet të mbetet parimi themelor. “Mbi çdo ndjenjë apo opinion individual, ajo që ka rëndësi është respektimi i rregullave të rendit ndërkombëtar”, tha ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






