Transmetuar më 21-01-2026, 21:30

Princi Harry rrëfen për herë të rrallë përballë drejtësisë britanike

Harry lidh drejtpërdrejt përndjekjen e tij me atë të Dianës. Ai thotë se marrëdhënia e tij problematike me median nis që nga vdekja e nënës së tij në vitin 1997, kur ishte 12 vjeç. Përmend mënyrën se si tabloidët e “admiruan dhe më pas e shkatërruan” Dianën

Princi Harry u gjend në qendër të një procesi gjyqësor tejet të ngarkuar emocionalisht në Gjykatën e Lartë të Londrës, ku, dukshëm i tronditur, sulmoi ashpër shtypin tabloide britanik.

Princi Harry akuzoi botuesin e Daily Mail se kishte tentuar ta shtynte “drejt drogës dhe alkoolit”, duke e vënë jetën e tij nën mbikëqyrje të vazhdueshme, ndërsa deklaroi para gjykatës se kjo media vazhdon ta “persekutojë” atë dhe bashkëshorten e tij.

Duka i Sussex-it ishte në prag të lotëve kur tha se Associated Newspapers Ltd (ANL) vazhdon t’ia bëjë jetën Meghan-it “absolutisht të mjerueshme”, gjatë procesit gjyqësor që ka hapur kundër saj.

Ai pretendon se botuesi ka përdorur metoda të paligjshme për mbledhjen e informacionit, me qëllim sigurimin e historive që lidhen me të dhe rrethin e tij të afërt.

Në një deklaratë të shkurtër në përfundim të paraqitjes së tij në gjykatë, duka akuzoi botuesin e Daily Mail dhe Mail on Sunday se “ka eksploruar çdo aspekt të jetës sime private, duke përgjuar telefonata, duke skanuar fluturime për të zbuluar se ku udhëtoj”.

Princi 41-vjeçar, gjatë dëshmisë së tij që zgjati me orë të tëra, foli për përditshmërinë dramatike që ka përjetuar bashkëshortja e tij, Meghan, si pasojë e tabloidëve.

“Zot i madh, ia bënë jetën ferr”, tha ai, pothuajse mes lotësh.

Harry ndodhet në një betejë ligjore kundër Associated Newspapers Limited (ANL), botuese e Daily Mail dhe Mail on Sunday, së bashku me gjashtë figura të tjera të njohura, mes tyre këngëtari Elton John dhe bashkëshorti i tij David Furnish, si edhe aktorët Elizabeth Hurley dhe Sadie Frost.

Kur avokati i tij e pyeti se si ndihej për këtë përballje ligjore, Harry u thye emocionalisht.

“Është një përvojë e dhimbshme. E vetmja gjë që duam është një kërkim faljeje dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Tabloidët, sipas tij, “vazhdojnë të më sulmojnë. E kanë kthyer jetën e bashkëshortes sime në ferr të vërtetë”, deklaroi Harry, me zërin që i dridhej nga emocionet.

Harry dhe paditësit e tjerë akuzojnë dy tabloidet se, duke përdorur detektivë privatë, kanë përgjuar mesazhe zanore, kanë ndjekur biseda telefonike dhe kanë siguruar në mënyrë të paligjshme informacione private, gjatë periudhës 1993–2018.

Në një deklaratë me shkrim të publikuar sot, princi tha se është “i vendosur të kërkojë llogari” nga botuesit e Daily Mail dhe Mail on Sunday “në emër të interesit publik”.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mua”, theksoi ai. “Ka të bëjë edhe me mijëra njerëz, jeta e të cilëve është shkatërruar nga lakmia e tabloidëve”.

Gjithmonë i ndjekur

Në dëshminë e tij, Harry përshkroi marrëdhënien e tij me mediat që nga lindja, si djali i dytë i princeshës Diana, të cilën tabloidet fillimisht e admiruan dhe më pas e “shkatërruan”.

“Që nga vdekja e nënës sime në vitin 1997, kur unë isha vetëm 12 vjeç, dhe mënyra se si u trajtua ajo nga mediat, marrëdhënia ime me shtypin ka qenë gjithmonë e vështirë”, u shpreh ai.

Ai shpjegoi se për vite me radhë, si anëtar i familjes mbretërore, kishte ndjekur politikën e institucionit: “mos u anko kurrë, mos shpjego kurrë”.

Por kur Meghan, me të cilën do të martohej, u bë objekt i “sulmeve dashakeqe dhe të vazhdueshme”, disa prej tyre edhe “raciste”, ai “filloi të ndiejë gjithnjë e më shumë se qasja e mosreagimit ndaj shtypit ishte problematike”.

Harry, i cili tashmë jeton në Kaliforni me Meghan-in dhe dy fëmijët e tyre, prej vitesh është në një betejë ligjore kundër shtypit tabloide britanik.

Ai kishte dëshmuar edhe në vitin 2023, në një proces kundër MGN, botuese e Daily Mirror, duke u bërë anëtari i parë i familjes mbretërore që dëshmonte në gjykatë pas më shumë se një shekulli.

Kronika e një përplasjeje të pamëshirshme

Rrënjët e konfliktit ligjor mes Meghan Markle dhe Associated Newspapers datojnë në vitin 2018, pak pas martesës së saj me princin Harry.

Meghan i kishte dërguar një letër dorëshkrim prej pesë faqesh babait të saj, Thomas Markle, në përpjekje për të rregulluar marrëdhënien e tyre. Mail on Sunday publikoi pjesë të gjera të kësaj letre në shkurt 2019, duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Dukeshës së Sussex-it.

Meghan e paditi gazetën për shkelje të privatësisë, keqpërdorim të të dhënave personale dhe shkelje të të drejtave të autorit.

Gjykata vendosi se Meghan kishte “pritshmëri të arsyeshme” që letra të mbetej private dhe e cilësoi publikimin si ndërhyrje të qartë në jetën e saj personale.

Drejtësi historike

Në vitin 2021, Meghan Markle korri një fitore të rëndësishme, pa qenë e nevojshme zhvillimi i një gjyqi të plotë. Vendimi u konfirmua edhe nga Apeli, duke e detyruar Mail on Sunday të publikonte një deklaratë në faqen e parë, duke pranuar humbjen.

Përveç aspektit moral, Daily Mail u detyrua të paguante mbi 1.2 milionë euro për shpenzimet ligjore, si dhe një dëmshpërblim simbolik për shkeljen e privatësisë dhe një shumë më të madhe, konfidenciale, për shkeljen e të drejtave të autorit, të cilën Meghan deklaroi se do ta dhuronte për bamirësi kundër bullizmit.

Kjo çështje u bë pararendëse e betejave të sotme ligjore të princit Harry, ndërsa çifti Sussex ka adoptuar një qasje të tolerancës zero ndaj abuzimeve të tabloidëve, duke ndryshuar përgjithmonë marrëdhënien e tyre me mediat britanike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit