

Vlorë – Një tjetër avari është shënuar në rrjetin e Ujësjellësit të Vlorës gjatë orëve të para të mbrëmjes, duke shkaktuar përmbytjen e Bulevardit “Ismail Qemali”.
Sipas informacioneve, rreth orës 18:00, në momentin kur hapen depot për furnizimin e qytetit me ujë, ka pësuar çarje një tub kryesor me diametër 500 mm. Si pasojë, një sasi e madhe uji ka dalë në sipërfaqe, duke përmbytur bulevardin dhe zonën përreth, për shkak të presionit të lartë në rrjet.
Ndërmarrja e Ujësjellësit bën me dije se dëmtimi i tubacionit ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen nga një firmë private për ndërtimin e një objekti publik pranë zonës.
Ujësjellësi i Vlorës njofton se ekipet teknike kanë ndërhyrë menjëherë për riparimin dhe zëvendësimin e tubit të dëmtuar, duke garantuar se qyteti nuk do të ketë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.
Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa pritet normalizimi i plotë i gjendjes në orët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






