Transmetuar më 21-01-2026, 22:33

Parkimi në rresht të dytë drejt penalizimit, Lamallari: Rrezik për qarkullimin dhe mjetet e emergjencës

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve një nga ndryshimet më të diskutuara të paketës së re të Kodit Penal, që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike dhe qarkullimin rrugor: trajtimin penal të parkimit në rresht të dytë në raste të caktuara.

Sipas ministrit, parkimi dyshe nuk do të penalizohet automatikisht në çdo rast, por do të konsiderohet vepër penale kur pengon seriozisht qarkullimin rrugor ose bllokon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, si ambulancat, zjarrfikëset apo policia.

Lamallari theksoi se ky ndryshim synon të adresojë një problem të përhapur në qytetet shqiptare, veçanërisht në zonat urbane me trafik të rënduar, ku parkimi në rresht të dytë ka krijuar situata rreziku për qytetarët dhe ka vonuar ndërhyrjet emergjente.

“Kur parkimi bëhet pengesë reale për jetën dhe sigurinë, nuk mund të trajtohet vetëm si shkelje administrative”, u shpreh ministri, duke nënvizuar se masa ka karakter parandalues dhe synon disiplinimin e qarkullimit.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një kundravajtje administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprime hetimore duke u bazuar në nenin 293 të Kodit Penal, argumentohet në shpjegimet për draftin që u miratua sot nga mazhoranca në Komisionin Parlamentar.

Sipas projektligjit, vlerësimi nëse parkimi dyshe përbën vepër penale do të bëhet në bazë të pasojave konkrete, duke marrë parasysh ndikimin në trafik dhe rrezikun e krijuar për shërbimet emergjente dhe ndëshkohet me gjobë deri një vit burg.

Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore tha: “Jo të gjitha parkimet e gabuara, ose ndalimet e gabuara, qëndrimet e gabuara, pushimet e gabuara janë objekt i këtij neni. Policia Rrugore duhet të paraqesë një platformë përsa i përket direktivës apo porosisë që kanë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit

Neni aktual e ka vënë gjobën nga 1–3 mijë lekë të reja. Patjetër që duhet parë kjo lloj dispozite me qëllim që të bëhen ndryshime përkatëse dhe t’i shërbejnë sigurisë rrugore".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit