

Davos, Zvicër – 21 janar 2026 – Alex Soros ka kritikuar ashpër Presidentin amerikan Donald Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke akuzuar liderët botërorë se po tregohen të dobët përballë tij dhe po shmangin përballjen politike.
Në një postim në platformën X, Soros ndau një foto me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, të cilin e cilësoi si një shembull për liderët ndërkombëtarë. Ai lavdëroi qëndrimin kritik të Newsom ndaj Presidentit Trump dhe paralajmëroi se strategjia e “paqëtimit” ndaj tij, sipas Soros, nuk funksionon.
“Jam shumë i lumtur që Gavin Newsom është këtu duke kritikuar liderët botërorë që besojnë se paqëtimi funksionon kur bëhet fjalë për Trumpin. Nuk funksionon. Vetëm e inkurajon atë të bëhet edhe më kaotik dhe shkatërrues. Liderët botërorë duhet të marrin shembull dhe të qëndrojnë drejt, të fortë dhe të bashkuar para se të jetë tepër vonë,” u shpreh Soros.
Gjatë një bisede me një gazetar në Davos, Soros theksoi gjithashtu se mungesa e reagimit të fortë nga liderët globalë ndaj Trumpit përbën një rrezik për stabilitetin ndërkombëtar.
Ndërkohë, edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, mbajti një qëndrim kritik gjatë forumit, duke u bërë thirrje liderëve botërorë të ndalojnë bashkëpunimin pasiv me administratën amerikane.
“Është koha të mblidheni, të bëheni seriozë dhe të ndaloni së qeni bashkëpunëtorë. Është koha të qëndroni drejt, të fortë dhe të keni shtyllë kurrizore. Nuk e përballoj dot këtë bashkëpunim dhe dorëzimin pa rezistencë,” deklaroi Newsom.
Komentet e Soros dhe Newsom vijnë në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, pas deklaratave të fundit të Presidentit Trump lidhur me Groenlandën, territor nën administrimin e Danimarkës që nga shekulli i 18-të, për të cilin Trump ka sugjeruar se bota nuk do të ishte e sigurt pa kontrollin e SHBA-së mbi të.
Great catching up with the real star of the 2026 World Economic Forum, my friend Gavin Newsom.So glad he’s here calling out world leaders for believing appeasement works when it comes to Trump. It doesn’t. It only emboldens him to become more chaotic and destructive.World… pic.twitter.com/s8XqrC7bqX
— Alex Soros (@AlexanderSoros) January 20, 2026
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






