Transmetuar më 21-01-2026, 15:38

Tiranë, 24 janar – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita mbështet dhe vlerëson përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes në Gaza, pas ftesës për krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”.

I pyetur nëse deputetët demokratë do të votojnë në Kuvend pro aderimit të Shqipërisë në këtë bord, Berisha u shpreh se nuk ka dijeni për këtë çështje dhe se është informuar për herë të parë nga mediat.

“Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Po informohem nga ju. Parimisht ne mbështesim plotësisht dhe vlerësojmë lart përpjekjen për paqe në Gaza, planin për paqe të presidentit Trump. Nuk di asgjë më shumë se kaq”, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar vendimit të qeverisë për miratimin e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, i cili pritet të shqyrtohet nga Kuvendi, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka ndërmarrë këtë hap me urgjencë për arsye politike, duke e lidhur atë me situatën e protestave.

Berisha theksoi se, pavarësisht kritikave të tij ndaj Ramës, ftesat ndërkombëtare për Shqipërinë i adresohen kryetarit të qeverisë, si përfaqësues i ekzekutivit.

“Bordi i Paqes, nga sa di unë, ka dërguar ftesa për shumë vende. Presidenti Trump ka ftuar shtete të ndryshme. Në Shqipëri, shefi i ekzekutivit nuk është presidenti, por kryeministri, pasi presidenti ka rol ceremonial. Për rrjedhojë, ftesa i takon kryetarit të qeverisë. Ky është komenti im”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se, sipas tij, kjo ftesë nuk forcon pozicionin ndërkombëtar të kryeministrit, por theksoi se për sa kohë Rama përfaqëson Shqipërinë, ftesat zyrtare do t’i adresohen atij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit