Transmetuar më 21-01-2026, 15:14

Tiranë, 21 janar 2026 – Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një tentativë mashtrimi kibernetik, ku qytetarëve u dërgohen mesazhe telefonike (SMS) dhe lidhje të rreme që imitojnë faqen zyrtare të institucionit, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, së fundmi është konstatuar qarkullimi i faqeve mashtruese që kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh. Lidhjet e dërguara përmes SMS-ve çojnë në një faqe interneti të falsifikuar, e cila përdor stemën e Policisë së Shtetit, imazhe të Drejtorisë së Përgjithshme dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente, duke krijuar përshtypjen e një faqeje zyrtare.

Në këtë faqe, qytetarëve u kërkohet fillimisht të konfirmojnë identitetin përmes numrit të telefonit, më pas të plotësojnë numrin e targës së automjetit dhe, në fazën përfundimtare, të japin të dhënat bankare për kryerjen e një pagese të pretenduar gjobe.

Policia sqaron se kjo faqe nuk është zyrtare dhe përdor një adresë interneti të rreme, e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror. Rasti përbën një formë të mashtrimit kibernetik (phishing), që synon vjedhjen e të dhënave personale, financiare dhe aksesin e paautorizuar në llogari bankare, duke i ekspozuar qytetarët ndaj humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin.

Në apelin e saj, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:

të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;

të mos vendosin të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;

të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon pagesa gjobash apo konfirmim identiteti përmes linkeve të dërguara me SMS;

të verifikojnë çdo informacion vetëm në kanalet zyrtare;

dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar në parandalimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave në hapësirën digjitale dhe fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave personale dhe financiare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit