Transmetuar më 21-01-2026, 12:37

Wolverhampton, Angli – Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Wolverhampton, pasi një nxënëse 11-vjeçare zbuloi trupin e pajetë të një burri gjatë zhvillimit të orës së edukimit fizik në akademinë Smestow. Incidenti ndodhi teksa nxënësit po përgatiteshin për aktivitet sportiv në fushën e futbollit.

Familjarët e vajzës thanë se ajo u përball papritur me trupin pranë portave të fushës, në kushte mjegulle të dendur, dhe shpërtheu në të bërtitura nga paniku. Babai i saj tregoi se vajza telefonoi nënën duke qarë dhe duke raportuar zbulimin. Nxënësja u largua menjëherë nga shkolla, ndërsa shërbimet e emergjencës mbërritën rreth 40 minuta më vonë.

Policia e West Midlands rrethoi zonën dhe ngriti një tendë forenzike për hetimet, ndërsa drejtuesit e shkollës vendosën mbylljen e menjëhershme të institucionit dhe dërgimin e nxënësve në shtëpi. Një tjetër prind konfirmoi se edhe disa nxënës të tjerë kishin qenë dëshmitarë të ngjarjes.

Akademia Smestow ka ofruar mbështetje psikologjike dhe këshillim për fëmijët e prekur, ndërsa gjatë ditës do të zhvillohen takime informuese dhe qetësuese me nxënësit. Drejtuesit e shkollës theksuan se trupi u gjet në skajin e territorit të institucionit dhe se mbyllja e përkohshme ishte vendosur për të lehtësuar hetimet.

Policia po punon për identifikimin e burrit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes. Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse bëhet fjalë për vdekje natyrale apo rrethana të dyshimta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit