

Policia e Shtetit kreu një operacion special sot që pa gdhirë në Tiranë, duke kapur në mes të rrugës disa persona me të kaluar kriminale të cilët u gjetën duke shitur armë zjarri.
Një prej të arrestuarve është Ilir Zyberi i cili më parë njihej si Ilir Avdillari.
E kaluara e burrit sot 55 vjeç është e errët pasi ai është dënuar për një vrasje të ndodhur më 1998.
Bëhet fjalë për ekzekutimin me armë zjarri të biznesmenit italian Stefano Rossi, raporton noa.al.
Vrasja u krye më 27 janar të vitit 1998, në momentin kur Rossi kishte tërhequr 30 milionë lireta nga banka dhe u ekzekutua vetëm 100 metra larg fabrikës së tij.
Ilir Avdillari Zyberi ishte i njohur si një ndër anëtarët e bandës së Yzberishtit në vitet ’97-’98.
Ai ka qenë i dyshuar për rreth 20 vepra të ndryshme penale. Gjykata e dënoi atë me 22 vjet burgim.
Në vitin 2017, kur Zyberi kishte dalë nga burgu, u bë sërish objekt i policisë. Më 12 shkurt 2017, një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Qelqi” zbuloi lëndë narkotike dhe armë, duke vënë në pranga pesë persona.
Mes të arrestuarve ishte Ilir Zyberi (Avdillari), atëherë vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohej se kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit kanabis sativa drejt personave të ndryshëm në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit.
Për ta kishte informacione policore se posedonin një sasi të konsiderueshme me lënde narkotike të llojit kanabis sativa dhe këtë sasi e mbanin të fshehur në banesën e Ilir Zyberit, ku më pas sipas hetimeve do të bënin dhe shitjen e saj.
Në aksionin e atëhershëm policor, në cilësinë e provës materiale sekuestruan 5 thasë me forma dhe përmasa të ndryshme me lëndë narkotike kanabis sativa, një armë e llojit “Shotgun”, tre telefona celularë, një palë pranga dhe një thikë.
Çfarë ndodhi sot në Tiranë
Operacioni “Anëtarët”/ Pas 3 muajsh hetime goditet grupi që shiste armë zjarri në Tiranë, 3 të arrestuar dhe 1 në kërkim. U ndaluan shtetasit Artur Brahimaj Ilir Zyberi dhe Artur Rushiti
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar pas tre muajsh hetime me metoda proaktive operacionin e koduar “Anëtarët”, duke goditur një grup kriminal të dyshuar për shitje të armëve të zjarrit.
Si rezultat i operacionit, janë vënë në pranga tre persona, të tre me precedentë penalë, ndërsa një shtetas tjetër është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në zonën e Tufinës, teksa tentonin të shisnin dy armë zjarri kallashnikov.
Të arrestuarit janë:
Ilir Zyberi, 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
Artur Brahimaj, 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve si dhe për mashtrim;
Artur Rushiti, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi kriminal.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithsej 5 armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.
Hetimet janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Deklarata e plotë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet pas 3 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Anëtarët”.
Goditet një grup kriminal që shiste armë zjarri.
Vihen në pranga 3 pjesëtarë të këtij grupi, të tre me precendent penal. 2 prej tyre u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim 1 shtetas, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi.
Sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim;
A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






