

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, ku një grua ka humbur jetën brenda banesës së saj, pas dhunës së ushtruar nga djali.
Sipas informacioneve zyrtare, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në ambientet e familjes, ku shtetasi F.B. ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, T.B., duke i shkaktuar asaj humbjen e jetës. Rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim.
Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se i dyshuari ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë i përfshirë edhe më parë në raste të dhunës në familje.
Konkretisht, ai ka qenë subjekt i tri procedimeve penale për dhunë në familje, dy prej tyre gjatë vitit 2021 dhe një rast gjatë vitit 2024, për të cilat janë zhvilluar procese gjyqësore dhe janë dhënë vendime dënuese.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë dalë forcat policore dhe ekipet hetimore, të cilat kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë siguruar provat materiale. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjore.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa ndaj të dyshuarit pritet të merren masat ligjore përkatëse. /noa.al
Foto arkivi
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






