

Në Kryeministri u mbajt ceremonia e homazheve për 21 Janarin. Sot bëhen 15 vite nga ngjarja e rëndë, ndërsa familjarët e viktimave vijojnë të presin drejtësi.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë katër protestuesit që humbën jetën 15 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se protesta doli jashtë kontrollit, por sipas tij, kjo nuk u shoqërua me tentativa për të hyrë në godinën e Kryeministrisë.
“Protesta doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës, për asnjë çast protestuesit nuk kapërcyen gardhin e Kryeministrisë. Askush nuk bëri përpjekje për të shkelur perimetrin e sigurisë dhe për t’u futur në godinë”, u shpreh Rama.
Ai kujtoi gjithashtu momentet e para të asaj dite, duke treguar se bashkë me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë po kalonin urën e bulevardit për t’u drejtuar drejt Kryeministrisë, kur një automjet i blinduar u shfaq dhe u hodh gaz lotsjellës mbi protestuesit, para se protesta të kishte nisur zyrtarisht.
“Kjo ndërhyrje e hershme e ktheu protestën në një situatë kaotike, duke na detyruar të zmbrapsemi drejt Parkut Rinia dhe më pas të ktheheshim në selinë e partisë”, tha Rama.
Sipas tij, edhe pse gjatë protestës u ndezën vatra zjarri, nuk pati tentativa serioze për të hyrë në godinën e Kryeministrisë. Rama përmendi vetëm një automjet që u filmua duke hyrë nga një portë anësore hekuri, ndërsa theksoi se nuk ka pamje filmike që të provojnë praninë e armëve te protestuesit.
“Asnjë pamje filmike nuk ka nxjerrë në pah praninë e një arme në radhët e protestuesve”, tha Kryeministri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






