Transmetuar më 21-01-2026, 09:14

Macron kundër Trump: përplasje e ashpër mes Europës dhe SHBA, rrezik për një luftë të re tregtare

Forumi Ekonomik i Davosit është shndërruar në një arenë politike, ku përplasja mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara ka hyrë në një fazë të re tensioni. Atlantiku duket më i trazuar se kurrë, ndërsa kërcënimi i një lufte të re tarifash po shton pasiguritë globale.

Këto janë ditët e përballjes së drejtpërdrejtë mes Europës dhe administratës së Donald Trump. Një situatë që, sipas kryeministrit belg Bart De Wever, po i afron dy kontinentet “në mënyrë të rrezikshme drejt pikës së thyerjes”. Në qendër të kësaj sfide është shfaqur presidenti francez Emmanuel Macron, i cili është vënë hapur në shënjestër nga Trump.

“Trump kërkon një Europë vasale. Ne zgjedhim respektin, jo bullizmin”, deklaroi Macron nga Zvicra, – citon noa.al, – duke i dhënë ton të ri një përplasjeje që po merr përmasa të paparashikueshme.

Shkëndija e fundit e përshkallëzimit erdhi nga Trump, i cili, pavarësisht një toni më pajtues para nisjes për në Zvicër – ku deklaroi se “për Groenlandën ndoshta do të gjendet një zgjidhje me Europën” – kishte nisur ditën me sulme të drejtpërdrejta ndaj Macron. Presidenti amerikan e kritikoi hapur homologun francez për refuzimin për t’u përfshirë në një strukturë ndërkombëtare për Gazën, duke deklaruar se “askush nuk e do, sepse do të largohet shumë shpejt nga posti”.

Trump publikoi gjithashtu një mesazh privat nga Macron, ku presidenti francez shprehte pakënaqësinë për ofensivën amerikane mbi Groenlandën dhe propozonte organizimin e një samiti të G7-ës në Paris, me pjesëmarrjen e disa vendeve kyçe. Por përplasja nuk u ndal këtu. Trump riktheu armën e tij të preferuar: tarifat. Këtë herë me një nivel ekstrem, deri në 200%, të drejtuara ndaj dy produkteve simbol të Francës: verës dhe shampanjës.

Reagimi i Parisit ishte i menjëhershëm. Në Davos, Macron u shfaq në skenë me syze dielli për shkak të një problemi shëndetësor në sy, duke e kthyer paraqitjen e tij në një “one man show”. Fillimisht me ironi dhe batuta ndaj Trump, më pas me tone të ashpra, presidenti francez akuzoi homologun amerikan për “ambicie perandorake”, “shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe përdorim të tarifave si mjet presioni ndaj sovranitetit të vendeve të tjera.

Edhe pse shumë kancelari europiane ndajnë të njëjtin shqetësim, jo të gjithë janë të bindur se përballja frontale është rruga e duhur. Macron është shprehur sërish pro përdorimit të instrumentit të BE-së kundër presionit ekonomik, të konsideruar si një “bazukë” ndaj vendeve të treta, por kjo linjë pritet të mbetet në minorancë në samitin e 27 vendeve të BE-së të thirrur nga Antonio Costa. Më e mundshme duket vendosja e kundërtarifave në vlerën e 93 miliardë eurove.

Vëmendja tani është përqendruar te mënyra se si liderët europianë do të paraqiten në samitin e së enjtes. Shumë do të varet nga orët e ardhshme në Davos dhe nga mundësia e një takimi me Trump, që mund të hapë një kanal dialogu për çështjet më të nxehta: Groenlandën, tarifat dhe luftën në Ukrainë. Megjithatë, pritshmëritë mbeten të ulëta.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi se “tarifat janë një gabim” dhe se përgjigjja e BE-së do të jetë “e vendosur, e bashkuar dhe proporcionale”. Ajo nënvizoi se pavarësia europiane është një “domosdoshmëri strukturore” dhe rikujtoi se BE po zgjeron marrëveshjet tregtare globale, përfshirë atë me Mercosur-in. Megjithatë, linja e saj mbetet dialogu dhe kërkimi i një strategjie të përbashkët sigurie me SHBA-në, veçanërisht për Arktikun, në kuadër të NATO-s.

Një sinjal i fortë erdhi nga Parlamenti Europian. Kreu i grupit PPE, Manfred Weber, njoftoi një marrëveshje mes forcave të shumicës për të pezulluar marrëveshjen tregtare BE-SHBA të korrikut të kaluar. Ky hap, i shtyrë fillimisht nga liberalët, socialistët dhe të gjelbrit, ka gjetur mbështetje edhe te popullorët, pavarësisht kritikave nga disa eurodeputetë konservatorë.

Pezullimi pritet vetëm të formalizohet. BE nuk e ka mbyllur derën ndaj Trump, por në Bruksel po forcohet bindja se komunikimi me presidentin amerikan kërkon më shumë kujdes se kurrë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit