

Kavajë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Drawer”
Policia e Kavajës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Drawer”, në kuadër të goditjeve të njëpasnjëshme kundër rasteve të armëmbajtjes pa leje.
Bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me automjet i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë organizuan ndërhyrjen dhe kontrollet përkatëse. Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 1 të qytetit të Kavajës, shërbimet e Policisë konstatuan dhe ndaluan për kontroll automjetin që dyshohej se drejtohej nga shtetasi i armatosur.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit, Policia gjeti të fshehura në një ndarje të posaçme, ndërmjet dy sediljeve të automjetit, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Këto u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Qani Balliu, 39 vjeç, banues në Durrës, i cili qarkullonte me automjetin.
Po ashtu, nisi procedimi penal për pasagjerin që ndodhej në automjet, shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzim krimi”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






