

Air Force One me Trumpin që ishte nisur për në Davos kthehet mbrapsht për shkak të problemeve me paketën elektrike
Avioni presidencial amerikan, Air Force One, me Presidentin Donald Trump në bord, u detyrua të kthehej në zonën e Uashingtonit mbrëmjen e së martës, rreth një orë pas nisjes drejt Zvicrës.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, vendimi u mor menjëherë pas ngritjes, pasi ekuipazhi konstatoi një problem të vogël elektrik. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, sqaroi se, për arsye sigurie dhe nga një masë paraprake, u vendos që avioni të kthehej në bazën ajrore Joint Base Andrews.
Një gazetar që ndodhej në bord raportoi se dritat në kabinën e shtypit u fikën për pak çaste pas ngritjes, pa u dhënë menjëherë një shpjegim. Rreth gjysmë ore më pas, reporterët u njoftuan se fluturimi do të ndërpritej dhe avioni do të kthehej pas.
Pas uljes, Presidenti Trump hipi në një tjetër avion presidencial, një Air Force C-32, version i modifikuar i Boeing 757 që përdoret zakonisht për udhëtime brenda SHBA-së ose për aeroporte më të vegjël. Me këtë avion, Trump vijoi udhëtimin drejt Forumit Ekonomik Botëror në Davos, pak pas mesnatës.
Dy avionët aktualë që shërbejnë si Air Force One janë në përdorim prej gati katër dekadash. Boeing po punon prej vitesh për zëvendësimin e tyre, por projekti ka pësuar vonesa të shumta. Këta avionë janë të pajisur me sisteme të avancuara sigurie për presidentin, përfshirë mbrojtje ndaj rrezatimit, teknologji kundërraketore dhe sisteme të shumta komunikimi, që i lejojnë presidentit të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me ushtrinë dhe të japë urdhra nga çdo cep i botës.
Vitin e kaluar, familja sunduese e Katarit i dhuroi Trump-it një avion luksoz Boeing 747-8 për t’u shtuar flotës së Air Force One, një veprim që u shoqërua me shumë debat dhe vëmendje publike. Aktualisht, ky avion po përshtatet për të përmbushur standardet e sigurisë presidenciale.
Me nota humori, Karoline Leavitt u tha gazetarëve mbrëmjen e së martës se avioni nga Katari “po tingëllon shumë më mirë” në këtë moment.
Raste të ngjashme nuk kanë munguar edhe më parë. Shkurtin e kaluar, një avion ushtarak që transportonte Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, drejt Gjermanisë, u kthye në Uashington për shkak të një problemi teknik. Ndërsa në tetor, një avion ushtarak me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, u detyrua të bënte ulje emergjente në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u konstatua një çarje në xhamin e kabinës. /noa.al me të dhëna nga AP. Foto: AP
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






