

Shqipëria – Moti
E mërkurë, 21 janar 2026
Sipas MeteoAlb, aktivizimi i një qendre të presionit të ulët atmosferik në Perëndim të Ballkanit do të ndikojë edhe territorin shqiptar, duke sjellë dominim të vranësirave. Parashikohen reshje të pakta shiu në Ultësirën Perëndimore, si edhe reshje të izoluara dëbore në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore të vendit. Kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të vijojnë deri në mëngjesin e së enjtes, ku reshjet do të mbeten prezente.
Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore, duke u luhatur nga -3°C vlera minimale, e regjistruar në zonat verilindore, deri në 13°C vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë mesatare, herë pas here e fortë, si në tokë ashtu edhe në det, me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi verilindor. Për pasojë, në brigjet detare pritet dallgëzim deri në 2 ballë.
Kosova – Moti
E mërkurë, 21 janar 2026
Gjatë pjesës së parë të ditës, Republika e Kosovës do të vijojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, me dominim të vranësirave, por pa reshje. Në orët e pasdites dhe në vijim pritet përkeqësim i ndjeshëm i motit në pjesën më të madhe të territorit, duke rikthyer reshjet e shiut dhe dëborës, por në sasi të pakta. Gjatë natës, reshjet do të intensifikohen në të gjithë territorin.
Si pasojë e temperaturave disa gradë nën zero, priten problematika me ngricat në akset rrugore. Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje, duke u luhatur nga -7°C vlera minimale e regjistruar në Podujevë, deri në 5°C vlera maksimale në Gjakovë.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, me shpejtësi maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht verilindor.
Maqedonia e Veriut – Moti
E mërkurë, 21 janar 2026
Gjatë orëve të paradites, Maqedonia e Veriut do të jetë nën dominimin e motit të vranët në të gjithë territorin. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë zhvillim të mëtejshëm të vranësirave, duke gjeneruar reshje shiu dhe dëbore, më të dukshme në zonat lindore dhe juglindore të vendit. Orët e vona të mbrëmjes pritet të shoqërohen me shtim të reshjeve në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa herë pas here mund të ketë stuhi të forta ere.
Rikthehen ngricat në disa qytete të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Temperaturat e ajrit do të shënojnë rritje, duke u luhatur nga -6°C vlera minimale në Kumanovë, deri në 6°C vlera maksimale në Manastir.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht verilindor.
Europa – Moti
E mërkurë, 21 janar 2026
Kontinenti europian, në pjesën më të madhe të tij, do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ku vranësirat dhe reshjet e shiut e dëborës do të jenë dominante. Konkretisht, reshje të dendura dëbore priten në rajonin e Balltikut si edhe në Europën Lindore.
Po ashtu, Gadishulli Iberik dhe skaji juglindor i Europës do të paraqiten me reshje të dendura shiu, të shoqëruara herë pas here me stuhi të forta ere. Sa i përket rajonit të Ballkanit, do të dominojnë reshjet e shiut dhe dëborës, por në sasi të pakta.
Ndërkohë, Gadishulli Skandinav, Gadishulli Apenin si edhe vendet e Europës Perëndimore do të karakterizohen nga mot kryesisht i kthjellët dhe relativisht i ftohtë, si pasojë e depërtimit të masave ajrore me origjinë siberiane.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






