

‘Presidenti i Shteteve të Bashkuara është jashtëzakonisht i sëmurë mendërisht dhe kjo po vë në rrezik jetën e të gjithëve ne. Amendamenti i 25-të ekziston për një arsye dhe ne duhet ta zbatojmë atë menjëherë"
Kongresmenia demokrate amerikane Yassamin Ansari ka ngritur alarmin për gjendjen mendore të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke deklaruar se sjellja e tij e fundit përbën rrezik serioz për sigurinë e vendit dhe kërkon aktivizimin e Amendamentit të 25-të të Kushtetutës.
Përfaqësuesja nga shteti i Arizonës reagoi pas publikimit të një letre që Trump i ka dërguar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, ku shpreh pakënaqësi për faktin që nuk është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen. Sipas Ansarit, përmbajtja dhe toni i kësaj letre tregojnë një paqëndrueshmëri serioze mendore të presidentit, e cila, sipas saj, cenon drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e qytetarëve amerikanë.
Në një postim në rrjetin social X, kongresmenia theksoi se Kushtetuta parashikon mekanizma të qartë për raste të tilla. “Presidenti i Shteteve të Bashkuara është jashtëzakonisht i sëmurë mendërisht dhe kjo po vë në rrezik jetën e të gjithëve ne. Amendamenti i 25-të ekziston për një arsye dhe ne duhet ta zbatojmë atë menjëherë.”, shkroi Ansari.
Në letrën e përmendur, Trump shprehet se, meqë Norvegjia nuk e ka vlerësuar me Nobelin për Paqe për, sipas tij, ndalimin e tetë luftërave, ai nuk ndihet më i detyruar të fokusohet ekskluzivisht te paqja, ndonëse shton se ajo do të mbetet një prioritet. Ai gjithashtu përmend çështje gjeopolitike, duke deklaruar se Danimarka nuk është në gjendje të mbrojë Groenlandën nga Rusia dhe Kina, si dhe duke theksuar se NATO “duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”.
Amendamenti i 25-të i Kushtetutës amerikane parashikon mundësinë e heqjes së përkohshme ose të përhershme të kompetencave të presidentit, në rast se ai vlerësohet i paaftë fizikisht ose mendërisht për të ushtruar detyrën. Ky proces kërkon përfshirjen e zëvendëspresidentit dhe shumicës së kabinetit ose të Kongresit.
Deklaratat e Ansarit pritet të ndezin debate të forta politike në SHBA, në një klimë tashmë të tensionuar rreth rolit dhe vendimeve të presidentit amerikan.

Përkthimi në shqip i tekstit në dokument:
"Shtëpia e Bardhë
Uashington, D.C. 20500
I dashur Jonas,
Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për faktin se kam ndalur 8 luftëra e më shumë, unë nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për Paqen, edhe pse ajo do të mbetet gjithmonë parësore, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Danimarka nuk mund ta mbrojë atë territor nga Rusia ose Kina, dhe përse vallë ka ajo një “të drejtë pronësie”? Në fund të fundit, nuk ka dokumente të shkruara; thjesht një anije ka zbarkuar aty qindra vite më parë, por edhe ne kemi pasur anije që kanë zbarkuar atje.
Kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara.
Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi Kontroll të Plotë dhe Total mbi Groenlandën.
Faleminderit!
Presidenti"
The president of the United States is extremely mentally ill and it’s putting all of our lives at risk. The 25th Amendment exists for a reason—we need to invoke it immediately. pic.twitter.com/HaywXdWxDK
— Congresswoman Yassamin Ansari (@RepYassAnsari) January 19, 2026
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






