Transmetuar më 20-01-2026, 17:45

Vrau dy persona në vitin 1997, gjykata dënon me 23 vite burg ish-policin Tomorr Çela

Gjykata ka dënuar me 23 vite burg ish-policin Tomor Çela, i akuzuar për vrasjen me dashje të dy personave gjatë vitit 1997. Vendimi lidhet me vrasjen e Elton Danit dhe Ledian Hoxhës, ngjarje e ndodhur në një nga periudhat më të vështira për vendin.

Çela, 56 vjeç, iu dorëzua autoriteteve shqiptare gjatë verës së kaluar për të vuajtur dënimin, pasi për vite me radhë kishte qëndruar jashtë vendit. Gjykata e Tiranës, përmes këtij vendimi, ka konsideruar se i pandehuri nuk kishte pasur dijeni të plotë për proceset e mëparshme gjyqësore të zhvilluara në mungesë të tij, duke e çuar çështjen drejt rigjykimit.

Sipas dosjes gjyqësore, më 10 shkurt 2014, Çela kishte firmosur nga Pensilvania një shkresë, përmes së cilës ia kalonte kompetencat përfaqësuese vjehrrës së tij. Gjykata vlerësoi se dokumenti i firmosur pranë një noteri amerikan nuk ishte i qartë, pasi nuk parashikonte shprehimisht përfaqësimin ligjor nga një avokat, çka u konsiderua shkelje procedurale.

Në seancën e parë të rigjykimit ishin të pranishëm familjarët e viktimave, ndërsa Çela u paraqit përballë trupit gjykues. Sipas hetimeve, ai ishte larguar nga Policia e Shtetit rreth pesë muaj përpara ngjarjes, por kishte mbajtur ende një armë kallashnikov shërbimi, të cilën nuk e kishte dorëzuar.

Dëshmitarët në proces kanë deklaruar se konflikti mes palëve kishte nisur disa ditë para ngjarjes, për shkak të një shume prej 2 mijë lekësh të reja, që lidhej me dëmtimin e derës së një automjeti. Debati përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit, duke shkaktuar vdekjen e dy të rinjve.

Me këtë vendim, gjykata konfirmon dënimin me 23 vite burg për ish-efektivin e policisë, ndërsa çështja konsiderohet e mbyllur në shkallën e parë të rigjykimit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit