Transmetuar më 20-01-2026, 13:41

Tiranë, 20 janar 2026 – Kuvendi i Shqipërisë pritet të hapë një kanal të ri televiziv institucional, të quajtur “Media Hub”, projekt i cili sipas dokumentacionit zyrtar parashikon një kosto fillestare prej rreth 50.2 milionë lekësh (afërsisht 500 mijë euro), si dhe 0.8 milionë lekë për hartimin e projektit.

Propozimi për ngritjen e këtij kanali është paraqitur sot për shqyrtim në Byronë e Kuvendit. Sipas materialeve shoqëruese, synimi i nismës është që Kuvendi të prodhojë vetë përmbajtje mediatike mbi veprimtarinë parlamentare, përfshirë lajme, kronika dhe intervista me deputetë.

Projekti parashikon ngritjen e një Media Room-i – një qendër e integruar multimediale brenda Kuvendit, e konceptuar si një redaksi televizive profesionale që do të funksionojë në mënyrë të përhershme dhe do të bashkëpunojë ngushtë me RTSH-në, konkretisht për transmetimin në kanalin RTSH Kuvend.

Në kuadër të këtij projekti, parashikohet krijimi i një drejtorie të re (Media Room) pranë Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit të Kuvendit, e cila do të ketë tre funksione kryesore:

Informuese, për të përcjellë në mënyrë transparente veprimtarinë parlamentare;

Analitike, për të shpjeguar proceset ligjvënëse, reformat dhe ndikimin e tyre;

Edukative, për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë rolin dhe funksionimin e Kuvendit.

Në fazën fillestare, projekti parashikon:

një strukturë të reduktuar redaksionale me staf minimal;

prodhim përmbajtjesh bazike si transmetime live, kronika dhe intervista;

ndërtimin e sistemit editorial dhe organizativ;

bashkëpunim të plotë me RTSH-në për transmetimin dhe arkivimin e materialeve.

Programacioni i kanalit parlamentar synon të ofrojë një pasqyrë të strukturuar dhe të kuptueshme të veprimtarisë së Kuvendit, duke balancuar informimin e menjëhershëm, analizën, edukimin qytetar dhe transparencën institucionale.

Projekti përbëhet nga dy komponentë kryesorë:

Studio televizive moderne, me kapacitete të plota prodhimi audio-video, arkivim dhe publikim online në kohë reale, si dhe integrim me RTSH Kuvend dhe platformat sociale të Kuvendit.

Platformë publike televizive e integruar me shërbime të Inteligjencës Artificiale, e cila parashikon transmetime live të seancave plenare dhe komisioneve, titrim, gjuhë shenjash, përmbledhje tematike, arkiv digjital të indeksuar, shërbime për media dhe deputetë, debate interaktive, si dhe krijimin e një databaze historike të kulturës parlamentare.

Projekt-propozimi pritet të shqyrtohet nga strukturat drejtuese të Kuvendit për miratim ose ndryshime të mëtejshme.

Argumentimi i plotë:

Media Hub i Kuvendit me shërbime të Integruara të Inteligjencës Artificiale, 50.2 milion lekë investimi dhe 0.8 milion lekë projekti.

Media Room-i është menduar të jetë një qendër e integruar multimediale brenda Kuvendit të Shqipërisë, e konceptuar si një “redaksi televizive” profesionale, që funksionon në mënyrë të përhershme dhe bashkëpunon ngushtë me RTSH-në për transmetimin në kanalin RTSH Kuvend.

Për këtë synohet të ngrihet një drejtori e re (Media-Room) pranë Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit, e cila të ketë rol të trefishtë:

• Informues: të përcjellë në mënyrë transparente punën parlamentare për qytetarët.

• Analitik: të shpjegojë proceset legjislative, reformat dhe ndikimet e tyre.

• Edukues: të ndihmojë qytetarët të kuptojnë funksionet dhe rolin e Kuvendit.

Fillimisht parashikohet të nisë puna me:

• Strukturë të reduktuar redaksie me staf minimal.

• Prodhim të përmbajtjeve bazike: transmetime live, kronika, intervista.

• Ngritjen e sistemit editorial, organizativ dhe rrjedhës së punës.

• Bashkëpunim i plotë me RTSH-në, për transmetim dhe arkivim të materialeve.

Qëllimi i programacionit televiziv të kanalit parlamentar është të ofrojë një pasqyrë të plotë, të strukturuar dhe të kuptueshme të veprimtarisë së Kuvendit për publikun e gjerë.

Programet duhet të jenë të balancuara ndërmjet informimit të menjëhershëm, analizës së thelluar, edukimit qytetar dhe transparencës institucionale.

Ka dy komponentë kryesorë (1 dhe 2):

Studio televizive moderne

• Prodhim i plotë video/audio për TV Parlamentar.

• Arkivim dhe publikim online në kohë reale.

• Integrim i menjëhershëm me RTSH Kuvend dhe platformat sociale të Kuvendit.

Platformë publike televizive e Kuvendit, e integruar me shërbimet AI

• Transmetime Live dhe Multiplatformë: seanca plenare dhe mbledhje komisionesh, me komentim opsional, titrim dhe gjuhë të shenjave.

• Përmbledhje dhe analiza: kronika ditore dhe javore, përmbledhje tematike mbi çështje ligjvënëse dhe debate, të transmetuara në RTSH Kuvend, online dhe në rrjete sociale.

• Arkiv Digjital i Indeksuar.

• Shërbime për Media dhe Deputetë.

• Debate dhe Interaktivitet.

• Databazë Historike dhe Kulturë Parlamentare.

• Multimedia dhe Platforma Online.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit