

Një incident serioz ka ndodhur në lagjen Romema të Jerusalemit, ku 15 fëmijë janë transportuar me urgjencë në spital pas një ekspozimi të dyshuar ndaj një substance të rrezikshme në një çerdhe private. Dy prej fëmijëve ndodhen në gjendje kritike shëndetësore.
Sipas shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore të Izraelit, Magen David Adom, fëmijët janë ekspozuar ndaj një materiali ende të paidentifikuar, i cili dyshohet se përbën rrezik për shëndetin. Incidenti ka ndodhur në rrugën Ha-Mag.
Të miturit janë dërguar për trajtim mjekësor në Sheba Medical Center, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë dhjetëra zjarrfikës të pajisur me veshje mbrojtëse speciale (hazmat) për të kontrolluar praninë e substancave toksike dhe për të garantuar sigurinë e zonës.
Autoritetet u kanë kërkuar banorëve përreth të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të emergjencës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
Ministria Izraelite e Arsimit ka konfirmuar se çerdhja funksiononte brenda një apartamenti privat dhe nuk ishte e licencuar apo e regjistruar zyrtarisht pranë institucioneve shtetërore. Ende nuk është bërë e ditur nëse është urdhëruar evakuimi i banorëve të zonës.
Autoritetet kanë nisur hetime të thelluara për të përcaktuar shkakun e incidentit dhe për të verifikuar përgjegjësitë ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






