

Policia Rrugore e Durrësit ka goditur brenda 12 orëve disa shkelje të Kodit Rrugor, duke arrestuar katër drejtues automjetesh dhe proceduar një tjetër, mes tyre edhe raste të tentativës për korrupsion ndaj punonjësve të Policisë Rrugore.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë monitorimeve intensive për parandalimin e aksidenteve rrugore, shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndaluar dy automjete në rrugën “Adria” dhe në zonën e Sukthit, pasi kryenin manovra të rrezikshme në rrugë.
Në momentin që efektivët u kanë kërkuar drejtuesve kryerjen e testit të alkoolit, shtetasit Sh. D. dhe A. Sh. kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e policisë duke ofruar shuma parash, konkretisht 2 000 dhe 5 000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e kontrollit.
Nga testimi i alkoolit rezultoi se:
shtetasi Sh. D., 61 vjeç, drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 1.13 mg/l;
shtetasi A. Sh., 51 vjeç, rezultoi gjithashtu në gjendje të dehur, me 0.55 mg/l.
Gjatë kontrolleve të tjera:
në rrugën “Vllazërimi”, u ndalua shtetasi A. R., 44 vjeç, i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me 0.79 mg/l;
në rrugën “Miqësia”, u konstatua shtetasi H. K., 22 vjeç, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit, me 0.55 mg/l.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Policia bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve Sh. D., A. Sh., A. R. dhe H. K., për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






