Transmetuar më 20-01-2026, 09:00

Një person që vuante dënimin për krim në tentativë ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 04:35 ka ndërruar jetë Mihal Pavllo Mërkuri, i shtruar në Reanimacionin Qendror të Pavijonit të Kirurgjisë. Shkaku i vdekjes është arrest kardiak, i shoqëruar me hemorragji cerebrale.

Mihal Mërkuri, i datëlindjes 25 janar 1979, lindur dhe banues në Sarandë, po vuante një dënim prej 10 vitesh burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ai ishte ekstraduar nga Greqia në Shqipëri më 20 qershor 2023, pas një periudhe të gjatë kërkimi ndërkombëtar, ndërsa më 15 shkurt 2025 ishte transferuar nga IEVP Korçë në IEVP Burrel.

Sipas të dhënave zyrtare, Mërkuri ishte shtruar në QSUT më 18 janar 2026, rreth orës 20:21, pasi kishte shfaqur komplikacione të rënda shëndetësore. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një hemorragjie të brendshme abdominale (hemoperitoneum), por pavarësisht trajtimit intensiv dhe përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij u përkeqësua duke çuar në humbjen e jetës.

Emri i Mihal Mërkurit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare dhe greke. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për më shumë se 11 vite, pasi në nëntor të vitit 2006 kishte plagosur me armë zjarri biznesmenin Vendim Bejko në Sarandë, ngjarje për të cilën ishte dënuar në mungesë me 10 vite burg.

Në vitin 2017, Mërkuri u arrestua në Greqi gjatë një operacioni policor kundër trafikimit të lëndëve narkotike në zonën e Vasilikos, pranë Igumenicës. Ai u kap së bashku me Panajot Demajn, teksa dyshohej se drejtonin një automjet që shërbente për kontrollin e rrugës për një furgon të ngarkuar me 214 kilogramë marijuanë. Dy shtetas të tjerë shqiptarë, që ndodheshin në furgon, arritën të largoheshin gjatë ndërhyrjes së policisë greke.

Autoritetet bëjnë me dije se për vdekjen e Mihal Mërkurit po ndiqen të gjitha procedurat e parashikuara ligjore, ndërsa organet kompetente pritet të kryejnë verifikimet përkatëse sipas protokollit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit