Transmetuar më 19-01-2026, 22:28

Tiranë, 19 janar 2026

Një situatë alarmante është raportuar mbrëmjen e sotme në Reanimacionin Qendror të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku ndërprerja e energjisë elektrike ka vënë në rrezik funksionimin e repartit më kritik të spitalit më të madh në vend.

Sipas informacioneve të mbërritura nga familjarë të pacientëve dhe burime nga brenda QSUT-së, mungesa e energjisë ka shkaktuar pasiguri të menjëhershme, duke vështirësuar punën e stafit mjekësor dhe duke krijuar panik mes të afërmve të pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Burimet bëjnë me dije se, për shkak të problemeve me furnizimin elektrik dhe pamundësisë për të garantuar funksionimin normal të aparaturave jetike, disa pacientë janë nxjerrë me urgjencë nga ambientet e reanimacionit dhe janë zhvendosur në korridoret e spitalit, në pritje të stabilizimit të situatës.

Familjarët flasin për momente ankthi dhe konfuzioni. Sipas tyre, ndërprerja e dritave ka prekur jo vetëm reanimacionin, por edhe ambiente të tjera spitalore, duke rritur frikën për sigurinë e pacientëve që varen drejtpërdrejt nga pajisjet elektrike.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e gjeneratorëve rezervë dhe sistemit të emergjencës në një repart ku furnizimi i pandërprerë me energji është jetik dhe nuk duhet të cenohet në asnjë rrethanë.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, drejtoria e QSUT-së nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me shkaqet e ndërprerjes së energjisë, funksionimin e sistemeve alternative apo masat e marra për garantimin e sigurisë së pacientëve dhe rikthimin e normalitetit.

Video JOQ

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit