Transmetuar më 19-01-2026, 22:01

19 janar 2026

E hëna e tretë e muajit janar njihet ndërkombëtarisht si “Blue Monday”, një term i përdorur për të përshkruar ditën që, sipas disa studimeve dhe perceptimeve sociale, shoqërohet me humor më të ulët dhe ndjesi lodhjeje emocionale.

Kjo periudhë e vitit përkon me fundin e festave, rikthimin në rutinën e përditshme, motin e ftohtë dhe ditët e shkurtra, faktorë që mund të ndikojnë në gjendjen psikologjike të shumë njerëzve. Megjithatë, ekspertët theksojnë se “Blue Monday” nuk është një diagnozë shkencore, por më tepër një koncept simbolik që reflekton gjendjen emocionale të janarit.

Sipas specialistëve të shëndetit mendor, mënyra të thjeshta si dëgjimi i muzikës, angazhimi në aktivitete që sjellin kënaqësi dhe vëmendja ndaj gjërave pozitive të përditshme mund të ndihmojnë në përmirësimin e humorit.

Takimet me miqtë dhe familjarët, veçanërisht në ambiente të ngrohta dhe sociale, konsiderohen po ashtu një mënyrë efektive për të shmangur ndjesinë e izolimit që shpesh shfaqet gjatë dimrit. Lëvizja fizike, qoftë edhe një shëtitje e shkurtër apo aktivitet i lehtë sportiv, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien emocionale.

Mesazhi i ekspertëve është i qartë: dimri dhe ditët e zymta nuk duhet parë si pengesë, por si një fazë normale e vitit, ku edhe momentet e vogla mund të sjellin ndjesi pozitive dhe energji të re.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit