Transmetuar më 19-01-2026, 20:23

Ngjyra ikonike e kuqe, që Valentino Garavani e admironte, dukej sikur kishte dalë nga një pikturë e Goyas dhe ishte pikërisht ajo që përcaktoi një rrugëtim mitik në botën e modës dhe të haute couture-it.

Ndarja e tij nga jeta në moshën 93-vjeçare shënon fundin e një epoke, të vulosur nga prania e një prej stilistëve më të mëdhenj italianë, i lindur në Lombardi, por i lidhur përjetë me Romën.

Valentino, njeriu që i dashuroi gratë që në fëmijëri, arriti të ndërtojë një perandori mode, pasi fillimisht u formua si një i ri i guximshëm pranë emrave të mëdhenj të modës në Paris. Rikthimi i tij në Itali ishte vetëm fillimi i një jete thuajse romaneske, që i kishte të gjitha në superlativ, por gjithmonë me një stil të pakrahasueshëm.

Receta e suksesit të tij duket e thjeshtë: një përzierje ngjyrash – 100% magenta, 100% e zezë dhe 100% e bardhë – krijoi të kuqen ikonike “Valentino Red”, një nuancë që u bë firmë e stilistit italian. Vetë Valentino e kishte pranuar se, përveç së bardhës dhe së zezës, e kuqja ishte e vetmja ngjyrë që ia vlente të merrej seriozisht.

Megjithatë, suksesi i tij nuk u ndërtua vetëm mbi një ngjyrë. Ajo që e bëri Valentino-n të pavdekshëm në histori, raporton noa.al ishte fakti se nuk harroi kurrë rregullin themelor: gratë duan të ndihen të bukura. Kjo bindje u formua shumë herët tek ai.

Që fëmijë, Valentino Clemente Ludovico Garavani kujtonte emocionin kur hynte në La Scala dhe shihte gratë si buqeta lulesh të vendosura në sediljet prej kadifeje të kuqe. Pikërisht atëherë lindi dashuria e tij për rrobaqepësinë. U formua fillimisht nga halla e tij Rosa dhe stilistja Ernestina Salvadeo, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u transferua në Paris, me mbështetjen e plotë të prindërve.

Vitet në Francë ishin vendimtare. Studioi në Shkollën e Arteve të Bukura dhe u formua pranë Balenciaga-s dhe Jean Dessès-it, duke u zhytur në botën e haute couture-it. Edhe pse si i ri ishte impulsiv dhe madje u largua nga Dessès për shkak të sjelljes së tij, Valentino e dinte se ishte i destinuar për madhështi.

Pas shtatë vitesh në Paris, ai u kthye në Romë, qytetin që u bë muzë e përjetshme për të. Me ndihmën financiare të babait, hapi shtëpinë e tij të modës. Një pikë kthese ishte takimi, më 31 korrik 1960, me Giancarlo Giammetti-n, i cili u bë jo vetëm bashkëpunëtori dhe partneri i tij profesional, por edhe shoqëruesi i jetës për shumë vite. Së bashku hapën butikën e parë luksoze në Via Condotti dhe ndërtuan themelet e perandorisë Valentino.

Roli i Jackie Kennedy ishte vendimtar për famën ndërkombëtare të stilistit. Ajo u magjeps nga krijimet e tij, bleu disa veshje dhe ia besoi atij edhe fustanin e dasmës për martesën me Aristotelin Onassis. Që nga ai moment, emri Valentino u përhap në mbarë botën.

Më 23 janar 2008, Valentino dha shfaqjen e tij të fundit në Muzeun Rodin në Paris, duke vulosur tërheqjen nga skena. Shtëpia e modës numëronte tashmë 174 dyqane në 100 vende të botës. Ai ia la trashëgiminë brezit të ri, fillimisht Maria Grazia Chiuri dhe Pierpaolo Piccioli, me këtë të fundit që vazhdon të shkëlqejë në krye të shtëpisë Valentino.

Shumë e përshkruanin Valentino-n si të rreptë dhe kërkues. Vetë ai e shihte veten si një njeri me qëndrim pozitiv ndaj jetës dhe modës. Ndërsa Giammetti thoshte se ai kishte një virtyt të rrallë: dinte saktësisht çfarë nuk donte. Dhe pikërisht kjo e bëri një legjendë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit